Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani: Beteja e Koshares, flakadani që nuk shuhet kurrë

 
   

Me rastin e 26-vjetorit të Betejës së Koshares, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Beteja e Koshares, është flakadani që nuk shuhet kurrë.

Vjosa Osmani ka shkruar në Facebook se aty ku regjimi gjenocidal i Serbisë kishte ngritur murin ndarës me Shqipërinë, vajza e djem të UÇK-së, ngritën një ideal e mbollën guxim e frymëzim për breza të tërë.

“Aty ku dukej e pamundura, ata sollën fitoren. Kosharja ishte një akt i pastër besimi se për liri, populli i Kosovës është i gatshëm të paguaj çdo çmim. Lavdi përjetë dëshmorëve të lirisë”, ka shkruar Vjosa Osmani.

Në kuadër të manifestimit përkujtimor për 26-vjetorin e Betejës së lavdishme të Koshares, në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur Donika Kada-Bujupi, e cila ka theksuar rëndësinë historike të kësaj beteje, të cilën e ka quajtur si një pikë kthese për lirinë dhe shtetformimin e Kosovës.

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.

Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.