
Për herë të parë në Kosovë po mbahet “Olimpiada Evropiane e Matematikës për Vajza EGMO”. Ky organizim i rëndësishëm, që ka mbledhur vajza me shkathtësi të jashtëzakonshme në matematikë dhe shkencë, nisi sot në Prishtinë.
Olimpiada është e dedikuar për vajzat me talent të veçantë në këtë fushë, ku secila prej tyre përfaqëson vendin e saj. Organizimi është bërë nga Shoqata Kosovare e Matematikanëve dhe Instituti i Teknologjisë, Shkencës dhe Matematikës, në bashkëpunim me institucionet shtetërore në Kosovë. Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se gjatë mandatit të saj janë përkrahur vajzat në zhvillimin personal dhe akademik përmes bursave dhe subvencionimit të pjesëmarrjeve ndërkombëtare.
“Në këtë sallë plot me vajza të zgjuara nga 60 vende të Evropës dhe botës, me potencial të jashtëzakonshëm, shpresë dhe kurajë për të gjitha vendet tona, qofshin të zhvilluara apo në zhvillim. Ngjarjet si EGMO zhvillojnë potencialin intelektual të vajzave. Në Qeverinë e Kosovës dhe në MASHT, kemi ofruar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e këtij potenciali, me fokus të veçantë për vajzat”, tha ministrja.
Organizatorët theksuan se përveç garës, kjo ngjarje ka edhe karakter edukativ dhe social, pasi përmes saj ndërtohen miqësi dhe krijohet një komunitet i fortë.
“Kosova ka marrë pjesë në EGMO për herë të parë në vitin 2020. Në atë pjesëmarrje, kemi fituar një medalje të bronztë dhe një të argjendtë. Sot, në vitin 2025, jemi të privilegjuar të jemi nikoqirë të këtij eventi dhe të mirëpresim vajzat nga Evropa dhe bota. Kjo nuk është vetëm një garë matematike, por edhe një festë e dijes dhe një mundësi për ndarjen e ideve dhe krijimin e shoqërisë”, tha Valdete Rexhbeqaj Hamiti, nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës.
“Disa gjëra ndodhën që më kujtuan pse EGMO është kaq i rëndësishëm dhe pse ky komunitet është vërtet i afërt. Rrugës për këtu, në vendin tim, në aeroport takuam një nga garuesit tanë të mëparshëm që po shkonte të vizitonte një tjetër ish-garues të EGMO-s. Pak më vonë, takuam edhe një tjetër. Kjo tregon fuqinë e lidhjeve që krijohen përmes kësaj gare“, tha Parsa Esmeralda, kryetare e bordit të EGMO-s.
Olimpiada Evropiane e Matematikës për Vajza do të zgjasë deri më 17 prill në Prishtinë.