Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krimineli serb Zvonko Veselinoviq, i pranishëm në tubimin e Vuçiqit në Beograd

Zvonko Veselinoviq, biznesmen kontrovers nga veriu i Kosovës, i njohur për përfshirjen e tij në afera të shumta dhe lidhjet me aktivitete kriminale, është fotografuar të shtunën në kundër-mitingun që u organizua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton nova.rs.

Veselinoviq kompanitë e të cilit prej vitesh fitojnë kontrata të mëdha shtetërore në Serbi, është arrestuar dhe akuzuar disa herë për vepra të rënda penale, nga trafikimi i heroinës, përfshirja në vrasje, deri te përvetësimi i paligjshëm i automjeteve dhe shfrytëzimi ilegal i zhavorrit.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drevs, në vitin 2011 e kishte identifikuar Veselinoviqin dhe vëllain e tij si organizatorë të incidenteve të dhunshme gjatë bllokadave në veri të Kosovës, ku ishte vrarë një pjesëtar i njësisë speciale të policisë së Kosovës.

Sot, më shumë se një dekadë më vonë, Veselinoviq shfaqet krah për krah me përfaqësuesit më të lartë të pushtetit në Serbi – në një miting që regjimi i Aleksandar Vuçiqit e përdor për të demonstruar forcë politike dhe për të ushtruar presion ndaj opozitës dhe protestave qytetare.

Pjesëmarrja e tij në këtë tubim  ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa opozitaret e Vuçiqit paralajmërojnë për lidhje gjithnjë e më të thella ndërmjet grupeve kriminale dhe pushtetit politik në Serbi.