Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ende nuk dihet kandidati për kryeparlamentar, a do të jetë Glauk Konjufca

 
   

Ndonëse ka mbetur vetëm edhe pak deri në fillim të seancës konstituive të Kuvendit, e caktuar për sot në orën 10:00, Lëvizja Vetëvendosje, së cilës i takon posti i kryeparlamentarit, ende nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit që pritet të votohet.

Është pikëpyetje nëse do të propozohet për kryetar të Kuvendit për mandat të ri, Glauk Konjufca, i cili e mbajti këtë post mandatin e shkuar katërvjeçar, raporton eo.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është pikë e tretë e rendit të ditës.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes në legjislaturën e kaluar, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se Vetëvendosjes i duhen edhe dy vota që të arrijë 61-shin, duke përfshirë këtu edhe tri votat e Nismës Socialdemokrate, për çka tha se Limaj ka shprehur gatishmëri, por që nuk ka marrëveshje të finalizuar.

Express ka raportuar se kryetari i Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetari  Nismës Sociademokrate mund të takohen edhe para seancës së sotme konstituive, por nuk ke asgjë të konfirmuar zyrtarisht nga asnjëra palë. 

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave dhe do t’i ketë 48 deputetë në Kuvend, domethënë nuk i ka marrë votat e nevojshme që të mund ta formojë e vetme qeverinë. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka takuar përfaqësuesit e partive të komuniteteve joshumicë, ndërsa ftesë për konsultime i dërgoi edhe LDK-së, e cila e refuzoi.

Në bazë të këtyre rezultateve, ulëse në Kuvend ka fituar edhe Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, Lidhja Demokratike me 20 deputetë si dhe koalicioni AAK-Nisma me 8 deputetë.