Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Oda Amerikane prezanton rekomandimet përrritje ekonomike: Thirrje për strategji kombëtare dhe partneritet me SHBA-në

 
   

Në ditën e mbledhjes së parë të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bën thirrje liderëve të rinj politikë që zhvillimi afatgjatë ekonomik dhe fuqizimi i sektorit privat të jenë në qendër të qeverisjes. Kjo përfshin një dialog të strukturuar publiko-privat që siguron politika të bazuara në nevojat e biznesit.

Kosova ndodhet në një moment kyç që kërkon një strategji të guximshme dhe gjithëpërfshirëse për rritje të qëndrueshme, krijim të vendeve të punës dhe rritje të konkurrueshmërisë. Oda propozon një Strategji Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik, e cila bashkon sektorin publik, privat, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë fusha si investimet, energjia, eksportet dhe kapitali njerëzor.

Rekomandohet gjithashtu krijimi i mekanizmave financiarë për rritjen e eksporteve, mbështetje për startup-e dhe transformim digjital të bizneseve, me theks në digjitalizimin si mjet për rritjen e konkurrencës.

Po ashtu, theksohet nevoja për siguri juridike dhe reformë fiskale, përmes thjeshtimit të sistemit tatimor, uljes së barrës administrative dhe krijimit të stimujve për investime e inovacion.

Oda kërkon krijimin e një Partneriteti Ekonomik Strategjik me SHBA-në, që do të forconte bashkëpunimin ekonomik dypalësh dhe do të nxitë investimet amerikane në Kosovë.

Një tjetër element kyç është angazhimi me diasporën, përmes lehtësimit të investimeve dhe shkëmbimit të informatave.

Së fundi, kërkohet fuqizimi i institucioneve për promovimin e investimeve dhe eksporteve, për të siguruar veprim të shpejtë dhe të koordinuar në përkrahje të zhvillimit ekonomik të Kosovës.