
Qeveria në detyrë ka emëruar bordin e drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor” në Prizren.
Ylber Elshani do të jetë kryesues, Agim Muqaj anëtar, Selvete Gjikolli anëtar dhe Sylejman Gashi anëtar.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe huamarrjen në vlerë prej 10 milionë euro për Telekomin të Kosovës.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se Telekomi po vazhdon të përballet me vështirësi.
“Ndërmarrja në fillim të mandatit kishte vështirësi të shumta financiare dhe organizative për shkak të abuzimit gjatë viteve të kaluara. Ndërmarrja ka arritur të këndellet. Vështirësitë nuk janë tejkaluar të gjitha. Në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë, propozojmë që të miratohet kjo kredi e likuiditetit”, tha Murati.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe plani i veprimit 2025-2026 për zbatimin e strategjisë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali.
“Plani shënon ndërtimin e një shoqërie të barabartë, ku komunitetet trajtohen me të drejta të plota dhe të barabarta”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.