Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: Thaçi e Haradinaj qëndruan në detyrë derisa u formuan institucionet e reja

Kryeministri i dorëhequr Albin Kurti, ka marrë shembull dy ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, duke thënë se qëndruan në detyrë deri kur u formuan institucionet.

Kurti gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, i ka akuzuar tri partitë opozitare, PDK-në, LDK-në e AAK-në, se po kërkojnë që institucionet t’i lënë në vakuum.

Por, ai po iu referohet rasteve kur nuk ishte në fuqi Ligji për Qeverinë, të cilin e ka votuar qeveria Kurti në vitin 2022.

“Kemi nga e kaluara shembullin e ish-kryeministrit Thaçi që ndonëse kishte dhënë betimin e deputetit në korrik të vitit 2014, kishte vazhduar të jetë kryeministër në detyrë deri në dhjetor të atij viti kur u pat votuar qeveria e re. E kemi shembullin e ish-kryeministrit Haradinaj, i cili dha dorëheqjen në korrik të vitit 2019 vetëm për të vazhduar tutje si kryeministër në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë Kurti 1 në shkurt të vitit 2020. Gjithashtu e kemi shembullin e ish-kryeministrit Hoti, i cili mbeti në detyrë deri në formimin e Qeverisë 2, në mars të vitit 2021, përkundër faktit që Qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor 2020”, deklaroi Kurti.

“Pra, në historikun tonë të formimit të institucioneve kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK, ndonëse me Kuvend të shpërndarë, një qeveri e udhëhequr nga AAK, ndonëse e dorëhequr dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK, ndonëse e shpallë si e jashtëligjshme, kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por, një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar na u dashka të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë”, theksoi ai.

Sipas Ligjit për Qeverinë, nëse një anëtar i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të ekzekutivit para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Po ashtu sipas këtij ligji, se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit me votimin e suksesshëm nga Kuvendi të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, me dorëheqjen e kryeministrit, apo me shpërndarjen e Kuvendit.