Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Ngërçi politik, LVV nuk ka vullnet ta krijojë qeverinë dhe po shkakton kriza

 
   

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka vullnet për të krijuar një qeveri të pakicës dhe ndërprerja e seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës interpretohet nga analistët politikë si një përpjekje për të fituar kohë apo afrim me ndonjë nga partitë e mëdha opozitare.

Seanca konstituive për Kuvendin e Kosovës dështoi më 15 prill, pasi partitë opozitare shprehën dyshime lidhur me dorëheqjen e Albin Kurtit nga posti i kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë, raporton KosovaPress.

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, thotë për KosovaPress, se Kurti po shkakton kriza në mungesë të vullnetit për krijim të qeverisë.

Sadiku: LVV nuk ka vullnet ta krijojë qeverinë dhe po shkakton kriza

“Lëvizja Vetëvendosje i ka pasur të gjitha mundësitë ta bëjë (qeverinë) me Nismën dhe pakicat, por si duket Lëvizja Vetëvendosje nuk ka vullnet më tepër vetëm është duke e provokuar situatën dhe po shkakton krizë sesa që është e interesuar ta bëjë një qeveri të pakicës sepse si duket e kanë vërejtur se elektoralisht i dëmton në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pas një viti. Dhe në të njëjtën kohë më tepër e shfrytëzon këtë situatë mos po vjen ndonjë opsion ose kërkesë nga LDK apo PDK, dhe po krijohet momenti për një qeveri katërvjeçare ku përbrenda saj është edhe presidenti… 02’07 Ne jemi në një krizë aktualisht, mbetet të shihet brenda 48 orëve siç e ka për obligim kryesuesi i seancës (Avni) Dehari që të ftojë përsëri seancën”, tha ai.

Se Kosova po hyn drejt një bllokade të panevojshme e thotë edhe Magbule Shkodra. Ajo thotë se kur askush nuk e priste se në pikën e parë të rendit të ditës do të ndërpritej seanca ajo ndodhi.

Shkodra: Gjasat janë të hyjmë në një bllokadë të panevojshme

“Nëse kjo situatë e krijuar nuk zgjidhet në mënyrën më të arsyeshme konform ligjit, ashtu si e kërkon ligji atëherë kemi gjasa që ne veç të hyjmë në një bllokadë të panevojshme, sepse ne askush s’e parashikuam se këtu do të ndalej. Pritjet ishin që kur të vijë formimi i qeverisë, por shpresoj që të gjithë të ulen dhe në mënyrë të arsyeshme, konform ligjeve në fuqi të kërkohen dokumentet zyrtare të dorëheqjes, të protokolluara dhe në momentin që këta e bëjnë betimin, atëherë nuk kanë mundësi të kenë dy kapela kapelën e kryeministrit ose ministrit dhe atë të deputetit, njërën e pasi e bëjmë betimin, ata janë deputetë”, theksoi ajo.

Por, Shkodra ka një opsion se si mund të dilet nga kjo situatë e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

Shkodra: Nëse ka vullnet, mund të gjendet zgjidhja për të dalë nga situata aktuale

“Kështu që ka një mundësi për të mos e zgjatur këtë situatë, ndoshta që të prezantohen këto dorëheqje, të cilat, dua të shtoj, duhet të jenë të protokolluara, do të thotë zyrtare. Nuk mundet vetëm një shkresë aty. Kjo është dorëheqja. Dokumenti është zyrtar kur e merr protokollin dhe regjistrohet dhe është e plotfuqishme. Kështu që mendoj që nëse ka vullnet mund ta zgjidhin, do të thotë Komisioni për Verifikimin e Mandateve të mblidhet edhe një herë, zyra ligjore t’i këshillojë që këto duhet të jenë procedura, në mënyrë që mos të vazhdojmë tani të shkojmë te presidentja t’i kërkojmë ajo të drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të jetë një vonesë për Republikën e Kosovë”, tha ajo.

Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur dështoi të miratohej dje në Kuvend, duke mos marrë shumicën e votave. Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan.

Bazuar në votimin e djeshëm, njohësit politikë nuk e hedhin poshtë mundësinë që Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë nevojë për votat e Listës Serbe për të votuar kryeparlamentarin, i cili ende nuk është propozuar, por edhe qeverinë e re, për të cilën partia e Albin Kurtit nuk i ka aktualisht votat e nevojshme.

Sadiku: LVV nëse është e nevojshme do ta merr ndonjë votë nga Lista Serbe

“Natyrisht, se mund të jetë dhe vetë fakti që dje dolën disa pretendime ose mesazhe të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për komunikimi ndërmjet vete me Listën Serbe vërehet ashiqare që dikush nga VV prapa kuintave ka komunikuar me Listën Serbe që në një moment të caktuar nëse kanë nevojë për ndonjë votë edhe mund t’ia marrin dhe pastaj të shesin në opinionin publik se kinse na i dhanë votat më shumë për të na dëmtuar sesa për të na ndihmuar”, shprehet Sadiku.

Përkundër që si opsion për formimin e një qeverie të pakicës e sheh ndonjë bashkëpunim në mes të Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës dhe pakicave jo serbe edhe Shkodra beson që në rast se arrin marrëveshje serioze me pakicat jo serbe partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i nevojiten vota e Listës Serbe për formimin e institucioneve të reja.

Shkodra: Pa marrëveshje serioze me pakicat mund të ketë nevojë edhe për votat e Listës Serbe

“Momentalisht duke parë do të thotë sa u votua, sa persona votuan, përjashto opozitën që nuk do ta votonte ndoshta Qeverinë Kurti. Votimi që ndodhi dje tregon se edhe votat e minoriteteve jo serbe nuk janë aty, sepse ata kanë kërkesat e veta dhe me sa kemi kuptuar nga ato që janë raportuar e deklaruar duket që kryeministri Kurti iu ka bërë premtime secilit për kërkesat që i ka bërë dhe ndoshta ata kur janë takuar e kanë pa që nuk mund të jenë tre ministra nga minoritetet jo serbe është e nuk ka logjikë… Nëse Kurti nuk arrin marrëveshje me këto minoritete jo serbe, pra t’ua përmbushë kërkesat, të cilat fatkeqësisht tani shkojnë duke u rritur e rritur, sepse janë do të thotë është temë pikërisht votimi nëse ai nuk arrin të bëjë një marrëveshje serioze në secilin dhe unë besoj që të jetë e arsyeshme, jo të dalë përtej asaj çka i nevojitet Kosovës. Atëherë, nëse nuk bëhet kjo, atëherë mund të ketë nevojë që ndoshta Lista Serbe t’i votojë”, thotë ajo.

Seanca e djeshme konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre për shkak të mos votimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, votuan kundër këtij raportit, ndërkaq Lista Serbe abstenoi. Opozita vuri në dyshim dorëheqjen e Kurtit nga posti i kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.