Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Një mjek gjerman akuzohet se ka vrarë 15 pacientë të tij

Një mjek në Berlin është akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve nën kujdesin paliativ, kanë thënë prokurorët të mërkurën. I njëjti akuzohet edhe për mbulim provash duke ndezur zjarrë në shtëpitë e tyre.

Mjeku ishte pjesë e ekipit të kujdesit për fundin e jetës së një shërbimi infermieror, raporton Associated Press.

Mosha e viktimave thuhet se varionte nga 25 deri në 94 vjeç. Shumica vdiqën në shtëpitë e tyre.

Mënyra e vrasjes dyshohet të jetë bërë duke i dhënë pacientëve anestezion dhe një qetësues muskulorë pa dijeninë apo pëlqimin e tyre. Droga e kombinuar dyshohet se paralizoi muskujt e frymëmarrjes ku pastaj pasonte vdekja brenda pak minutash, kanë thënë prokurorët.

Mjeku – një burrë 40-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë – ka qenë në paraburgim që nga 6 gushti. Prokurorët thanë të mërkurën se ai nuk është përgjigjur ende për çështjen kundër tij.

Akuzat iu dorëzuan gjykatës shtetërore të Berlinit, e cila tani do të duhet të vendosë nëse do ta çojë çështjen në gjyq dhe nëse po, kur.

Akuzat për vrasje parashikojnë një dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Prokurorët thanë se synojnë t’i kërkojnë gjykatës të vërtetojë se i dyshuari mbart fajësi veçanërisht të rëndë, që do të thotë se ai nuk do të kualifikohej për lirim pas 15 vjetësh siç ndodh zakonisht në Gjermani.

Ata gjithashtu kërkojnë që ai të ndalohet përgjithmonë nga ushtrimi i profesionit të tij.