Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zyrtarë të lartë amerikanë udhëtojnë në Evropë për të biseduar për Ukrainën

Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio dhe i dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff do të udhëtojnë në Paris këtë javë për bisedime me aleatët evropianë mbi përpjekjet e SHBA-së për të negociuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.

Departamenti i Shtetit tha se, Rubio dhe Witkoff do të jenë në kryeqytetin francez të enjten për takimet.

Zyrtarët do të kenë “bisedime me homologët evropianë për të çuar përpara qëllimin e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe për të ndaluar gjakderdhjen”, tha në një deklaratë të mërkurën zëdhënësja e departamentit Tammy Bruce.

Rubio gjithashtu do të “diskutojë mënyrat për të avancuar interesat e përbashkëta në rajon”, tha ajo, raporton AP.

Rubio dhe Witkoff kanë ndihmuar në udhëheqjen e përpjekjeve të SHBA për të kërkuar paqen më shumë se tre vjet pasi Rusia filloi luftën. Disa raunde negociatash janë mbajtur në Arabinë Saudite dhe Witkoff u takua javën e kaluar me presidentin rus Vladimir Putin.

Të dyja palët kanë pasur kundërshtime për kohën e fillimit të ndalimit të sulmeve dhe kanë raportuar shkelje të supozuara ditore nga pala tjetër.

Moska ka refuzuar të pranojë një armëpushim gjithëpërfshirës që Trump ka shtyrë dhe Ukraina ka miratuar. Rusia e ka kushtëzuar atë me ndalimin e përpjekjeve të mobilizimit të Ukrainës dhe furnizimeve perëndimore me armë, kërkesa të cilat u refuzuan nga Ukraina.