Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përvjetori i vrasjes së Gjyljetës nga Peja, flet vëllai i saj

Në përvjetorin e parë të vrasjes së Gjyljeta Ukellit në Pejë, vëllai i saj, Shpat Ukella, ka folur për dhimbjen e thellë që familja përjeton çdo ditë, si dhe për plagën që nuk po mbyllet.

“E ndjejmë mungesën e motrës në çdo sekond. Gjithë familja vuan mungesën e saj, sidomos fëmijët që e kërkojnë për çdo rast”.

Shpati ka treguar se tre fëmijët e Gjyljetës, Paulina, Tara dhe Gerdi, nuk kanë kërkuar asnjëherë ta shohin babain e tyre, i cili është autori i krimit dhe që aktualisht po vuan dënimin e dhënë nga drejtësia.

“Fëmijët e Gjyljetës asnjëherë nuk kanë kërkuar ta shohin babain e tyre, por as ai nuk ka bërë një kërkesë për t’u takuar me ta.”, shtoi ai.

Një nga momentet më prekëse që Shpati ndan është mënyra si Tara, vajza 9-vjeçare e Gjyljetës, ka zgjedhur të mbajë lidhjen me nënën e saj.

Pranë varrit të saj, Tara ka vendosur një kavanoz, të cilin gjatë gjithë vitit e ka mbushur me letra të shkruara me dorë.

Në ato letra, vajza i shkruan nënës për mallin, për dashurinë që i mungon, për ditët pa të dhe për përqafimet që nuk i merr më.

Çdo letër është një copë dhembjeje e një zemre të vogël që mundohet të mbajë gjallë kujtimin e nënës së saj./IndeksOnline