Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mbahet seanca e parë gjyqësore për rastin e foshnjës në Pejë

 
   

Pas tri vitesh nga rasti tronditës kur një foshnjë ishte futur në rrobalarëse në Spitalin e Pejës, sot është mbajtur seanca e parë gjyqësore lidhur me këtë ngjarje. Të pandehurit, një gjinekolog dhe një infermiere, janë paraqitur në seancë pa mbrojtës ligjorë. Të dy janë deklaruar të pafajshëm. Sipas aktakuzës së ngritur dy të pandehurit janë ngarkuar me veprën penale “Dëmtim i varrezave apo kufomave”.

Dy të akuzuarit, S.I. dhe E.A., punonjës shëndetësorë në Spitalin e Pejës, janë deklaruar të pafajshëm në Gjykatën Themelore në Pejë gjatë seancës fillestare lidhur me akuzën për futjen e një foshnjeje të pajetë në lavatriçen e spitalit rajonal më 13 dhjetor të vitit 2022.

Sipas aktakuzës, S.I. si punonjës shëndetësor nuk ishte kujdesur që fryti i lindur i vdekur me operacion nga pacientja me inicialet M.Z. të vendosej në dhomë me frigoriferët që përdoren për vendosjen e placentave. Ai akuzohet se s’ka mbikëqyrur stafin dhe fryti i vdekur ishte vendosur në një çarçaf të bardhë e që më pas pa dijeni ishte marrë nga punëtorët teknikë dhe ishte hedhur në shportën që bartte çarçafët e papastër për t’i dërguar në lavanderi për pastrim. Fryti ka mbetur aty deri kur prindërit e kanë tërhequr.

E akuzuara E.A. sipas aktakuzës, si mami infermiere kujdestare, nuk kishte kryer punën e saj duke iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale.

Avokatja e palës së dëmtuar, Saranda Keqekolla Sadiku, ka thënë se për fat të keq veprimet e Prokurorisë kanë qenë shumë të ngadalësuara.

“Veprimet e prokurorisë së shtetit kanë qenë shumë të ngadalësuara deri te vendimi për ngritjen e akuzës. Për mendimin tim, prokuroria ka pasur elemente të mjaftueshme që të ngrisë akuzën dhe të zhvilloj çështjen penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’.”

“Po presim një epilog të drejtë, tash do të shohim në gjykatë. Sot të pandehurit nuk u deklaruan për fajësinë e tyre, nuk e pranuan fajësinë, i kanë të drejtat ligjore që ua garanton ligji, prandaj në vijim besoj se edhe ju do të jeni të njoftuar,” shtoi ajo.

Edhe familjarët janë shprehur të shqetësuar për stërzgjatjen e këtij procesi nga organet e drejtësisë.

“Po më vjen çudi e madhe prej këtyre gjykatave dhe prokurorëve, e kanë bërë atë punë thuajse nuk ka ndodhur gjë. Përndryshe kam shpresë të madhe në drejtësi, edhe pse shumë me vonesë. Dy vjet e diçka për një rast, kjo është tmerr,” tha një familjar.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “dëmtimi i varrezave apo kufomave”. Seanca e radhës do të mbahet pas 30 ditëve.