
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se nuk ka komunikuar me Nismën Socialdemokrate por sipas tij një gjë të tillë e kanë bërë “Partia Demokratike e Kosovës dhe kolegë të tjerë”.
Haradinaj tha se shpreson që “të zgjidhet çështja e dorëheqjeve” derisa theksoi se si AAK janë të interesuar për konstituimin e Kuvendit. Por ai tha se nuk mund të votojnë “shkelje ligjore”.
Haradinaj: Nuk guxojmë të votojmë shkelje ligjore
“Mirë është që qe janë respektuar afatet ligjore, 48 orë të vazhdimit. Shpresoj që do të zgjidhet çështja e dorëheqjeve she do të mund të vazhdojmë. si aleancë e mbështesim konstituimin e kuvendit por nuk guxojmë të votojmë shkelje ligjore”, tha Haradinaj të enjten më 17 prill, pak para vazhdimit të seancës konstituive.
Deputetët e zgjedhur nuk arritën më 15 prill të miratojnë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë kërkuan nga qeveria në detyrë që të ofrojë dorëheqje formale.
Gjatë kohës sa mbahej seanca, u publikua letra e Albin Kurtit përmes së cilës e njoftonte kryetarin e Kuvendit se kishte dhënë dorëheqje. Aty thuhej se qeveria ishte në dorëheqje nga dita kur i kishte përfunduar mandati – më 23 mars.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kujtuan Ligjin për Qeverinë dhe theksuan se dorëheqjet duhet të dorëzohen një ditë para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Haradinaj u shpreh se janë të interesuar për konstituimin e kuvendit, meqë ashtu fillon edhe afati ligjor për formimin e qeverisë.
Haradinaj: Kurti nuk e ka shumicën
“Sikur ta kishte shumicën do të mund të votonte jashtëligjshmen. Duke mos e pasur shumicën, kjo është situatë, nuk e di qysh do të rezultojë më tutje. E kemi thënë herët që jemi të interesuar për konsitutimin e Kuvendit sepse ashtu fillon edhe afati ligjor për formimin e qeverisë. Dhe jemi të interesuar që pas dështimit, ta mbështesim formimin e qeverisë nga opozita. Unë nuk kam komunikim me Nisman që atëherë, qe nga intervista. Jam në dijeni se PDK ka komunikim, edhe kolegët tjerë”, u shpreh Haradinaj.
Ai tregoi edhe nëse i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Adem Hoxha.
Haradinaj: U kam bërë ftesë deputetëve që janë pa grup parlamentar të na bashkohen
“Jo AAK-së, ne keni mungesë të deputetëve në GP, ju kam bërë ftesë të gjithë deputetëve qe janë pa grup që nëse vlerësojnë të na bashkohen. Ademi ka shprehur interesim dhe të tjerët mund t’i bashkohen”, u shpreh ai.
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen edhe sot më 17 prill për të vazhduar seancën konstituive.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes më 16 prill përmes së cilës i kërkoi sugjerime për veprime tutje.
Presidentja kujtoi rregulloren e Kuvendit dhe tha se seanca duhet të vazhdojë brenda 48 orësh.
Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit e më pas qeverisë së re.
Deri më tash, LVV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë.