Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Rrugë e gjatë për drejtësi: Një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës fillon të marrë dy pensione

 
   

Për herë të parë një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka filluar të marrë dy pensione që i takojnë – atë si viktimë e dhunës seksuale si dhe pensionin e moshës.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Ferdie Rushiti.

“Dhe sot, për herë të parë, një e mbijetuar nuk duhet të zgjedhë mes dy identiteteve të saj, ajo i mban të dyja me dinjitet”, shkroi Rushiti në Facebook.

QKRMT ka nisur procesin gjyqësor për njohjen e të drejtës për pensionin e dyfishtë në vitin 2021.

Realizimi i pensionit të dyfishtë erdhi pas vendimeve të Gjykatës Themelore dhe më pas Apelit.

Ky rast është i pari që konkretizon këtë të drejtë në praktikë, ndërkohë që dhjetëra raste të tjera janë në shqyrtim nga gjykatat. Ne jemi duke avokuar fuqishëm pranë institucioneve për njohjen automatike të kësaj të drejte për të gjithë të mbijetuarit që kanë arritur moshën e pensionimit”, tha Rushiti duke theksuar se ky moment shënon edhe një hap tjetër drejt drejtësisë së vërtetë.

Edhe pse Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta thotë se përfitues të pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës mund të jenë edhe shfrytëzuesit e pensionit bazë që është i rregulluar me Ligjin për skemat pensionale, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë detyruar të heqin dorë nga pensioni i moshës, apo ai i viktimës meqë shteti nuk i ka lejuar të marrin dy pensionet.

Të mbijetuarit, përmes QKRMT-së kanë kërkuar të drejtën e tyre përmes rrugëve ligjore.