
Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për drejtësi thotë se letra e dorëheqjes nga posti i kryeministrit Kurti, nuk përbën akt të dorëheqjes.
Sipas tij, dorëheqja nuk duhet të lë hapësirë për interpretim, por dorëheqja të jepet dhe të kuptohet qartë.
Sa i përket konstituimit të Kuvendit, ai thotë që partitë politike duhen të jenë konstruktiv dhe të gjejnë një gjuhë të bashkëpunimit dhe të mos ketë dështime të tilla.
“Kjo letër e dorëheqjes nuk përbën akt të dorëheqjes, për arsye se dorëheqja nuk duhet të lë hapësirë për interpretim por duhet që dorëheqja të jepet dhe të kuptohet qartë e lehtë se a dëshiron ose nuk dëshiron kryeministri realisht që të jap dorëheqje. Kuptohet që Instituti i Kosovës për Drejtësi gjithherë ka thënë që dorëheqja duhet që të jepet në momentin kur bëhet betimi edhe si deputet. Duhet që deputetët të jenë konstruktiv të gjejnë një gjuhë të bashkëpunimit dhe mos të kemi dështime të tilla për arsye që edhe tek roli i komisionit për verifikimin e mandateve realisht Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë që roli i këtij komisioni realisht është formal dhe do duhej që ta votonte këtë raport për të proceduar tutje. Konstituimi i Kuvendit të Kosovës është një koncept i cili nuk do të duhej të shihej nga asnjë parti politike si një koncept politik ose si një kalkulim politik, por konstituimi është i të gjithëve”, ka deklaruar Kolshi në emisionin “Ditari” në tëvë1.
Ndërkaq, Kolshi tha se kryesuesi i Kuvendit nuk do të duhej ta ndërpriste seancën pa pas një votim për raport.
“Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës nuk është dashur ta ndërpresë seancën pa pas një votim në të për arsye që ai e ka thirr një takim konsultativ me partitë politike që realisht në bazë të rregullores nuk thuhet që ka të drejtë ta ftojë atë takim konsultativ, vlerësojmë që në këtë situatë sot është dashur të ketë votim në këtë Kuvend prapë për raport”, tha ai ndër të tjera.
Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar të vazhdojë edhe në tentimin e dytë.
Në fillim të seancës të së enjtes, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkojë konsultime me partitë politike për letrën që ia kishte kthyer presidentja Vjosa Osmani lidhur me vazhdimin e seancës.
Ai tha se këtë konsultim po e kërkon për të mos bërë shkelje procedurale.
Por një thirrje të tillë e kundërshtuan PDK, LDK, AAK.