Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kuvendi dështon të konstituohet për herë të dytë, përpjekja e tretë nesër – krejt çka ndodhi dje

 
   

Kuvendi i Kosovës është futur në një krizë të thelluar institucionale, pasi edhe përpjekja e djeshme për të konstituuar legjislaturën e re dështoi.

Seanca, që ishte paraparë të vazhdonte me votimin e raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve, nuk u çua fare në votim, përkundër faktit që në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas konsultimeve me përfaqësues të partive politike, vendosi ta ndërpresë seancën për herë të dytë, duke e shtyrë atë për të shtunën, më 19 prill. Ai justifikoi ndërprerjen me mungesën e konsensusit ndërmjet subjekteve politike, ndërsa njoftoi se seanca do të vazhdojë brenda afatit 48-orësh të përcaktuar nga Rregullorja e Kuvendit.

Ky vendim ka ngjallur reagime të ashpra nga partitë opozitare. Sipas tyre, Dehari ka vepruar në kundërshtim me skenarin e paraparë të seancës, duke refuzuar ta hedhë në votim raportin e Komisionit – veprim që, sipas opozitës, ishte obligim procedural.

Opozita ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për tentim të zvarritjes së procesit dhe për përdorimin e kryesuesit të seancës si instrument për bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Ata thonë se kjo vonesë është e qëllimshme, duke pasur parasysh që qeveria në detyrë nuk e ka shumicën për të formuar institucionet e reja, dhe se zgjatja e afateve po përdoret për të fituar kohë për marrëveshje të brendshme politike.

LDK dhe PDK theksojnë se mazhoranca e kaluar nuk mund të mbajë njëkohësisht pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ dhe e kanë ftuar Vetëvendosjen që të respektojë Kushtetutën dhe të mos mbajë peng funksionimin e Kuvendit.

E dje ka reaguar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, duke dërguar një mesazh të qartë për udhëheqësit politikë: “Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale”.

Ai tha se janë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet, ndërsa vendi ende nuk ka as Kuvend funksional, as Qeveri.

Me një reagim erdhe edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili shprehu zhgënjimin e tij me ngecjen e procesit.

Ai kritikoi taktikat obstruktive të partive politike, duke thënë se qytetarët meritojnë udhëheqës që vendosin interesin e Kosovës përpara politikës partiake.

Të shtunën, në orën 12:00, do të bëhet përpjekja e tretë për të votuar raportin e komisionit dhe për të mundësuar betimin e deputetëve të rinj. Deri atëherë, mbetet e paqartë nëse do të ketë ndryshim të qëndrimeve dhe nëse Kuvendi do të arrijë më në fund të konstituohet.