1
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka paralajmëruar kallëzim penal për ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, për shkak që sipas tij, po ndalon projektet në kryeqytet.
Ai para mediave deklaroi se do të vazhdojnë me punime në sheshin “Xhorxh Bush”, duke deklaruar se nuk ka asnjë shkelje ligjore në projekt.
“Institucionet që do të duhet të ishin të pavarura, tani po përdoren për të sabotuar të gjitha projektet madhore të kryeqytetit, duke iu shërbyer kështu interesave politike dhe duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejt për të gjithë qytetarët dhe vizitorët që vijnë”, u shpreh ai.
Tutje, ai deklaroi se “ky projekt është ideuar për ta ruajtur trashëgiminë kulturore, po e shihni edhe vetë se në çfarë gjendje është qendra e kryeqytetit”.
“Hapësirat të jenë të mirë të funksionalizuara dhe të promovojnë trashëgiminë kulturore dhe jo ta cenojmë atë. Institucionet po përdoren për me sabotu projektet, që sjellin përfitime për të gjithë qytetarët”, theksoi ai.
Rama tha se ministri në detyrë, Hajrulla Çeku nuk po del të ballafaqohet me të, dhe as nuk po jep llogari para qytetarëve.
“Ministrit Çeku i kam kërkuar të vijë me të gjithë që po tregojnë gjëra të gabuara dhe ai nuk vjen dhe nuk jep llogari para qytetarëve, nuk ballafaqohet me të vërteten. 0 elemente të jashtëligjshme ka ky projekt. Të gjitha intervenimet janë brenda ligjit, nuk do të ndalim. Ky ministër po na shkakton dëme të mëdha. Fol në emër të Policisë, të Prokurorisë, në mënyrën më të keqe të mundshme përdor pushtetin për ta bllokuar projektet”, tha ai.
Rreth një muaj më parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kishte njoftuar se janë vendosur shenjat zyrtare për ndalimin e punimeve në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë, për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore.
Sipas MKRS-së, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka pranuar informacion për punime në këtë zonë, e cila gjendet brenda Qendrës Historike të Prishtinës.
Pas verifikimeve nga QRTK Prishtina dhe IKMM, është konstatuar se Komuna e Prishtinës dhe drejtoritë e saj përkatëse nuk kanë kërkuar leje për kryerjen e këtyre punimeve, siç kërkohet me ligj.
Perparim RamaSheshi Xhorxh Bush