Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vazhdon kriza e konstituimit

 
   

Me kërkesën për një takim konsultativ mes partive politike, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, pritet ta vazhdojë seancën e konstituimit të Kuvendit nesër në tentativën e tretë, pas dy dështimeve.

Këtë e konfirmoi për RTK-në sekretari i partisë që ka fituar numrin më të madh të ulëseve, Alim Rama.

“Tash kjo procedurë nuk është paraparë me rregulloren e Kuvendit, dhe ne mendojmë se duhet një konsultim me partitë e tjera, që të përcaktojmë rrugën përpara. Çdo mënyrë tjetër ka krijuar një pasiguri, sepse nuk jemi dakorduar as për raportin ekzistues, as për ngritjen e një komisioni tjetër verifikues të mandateve”, ka thënë ai.

Megjithatë, Rama tha se ata mbeten të hapur për çdo diskutim dhe e quajti kërkesën për dorëheqje absurde.

Ftesën e djeshme për takimin konsultativ, PDK, LDK dhe AAK e quajtën jashtë mandatit të tij si kryesues, duke iu referuar deputetit më të vjetër, Avni Dehari.

Të tria këto parti janë betonuar në qëndrimet e tyre se nuk mund të votohet raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve pa dhënë dorëheqje kryeministri dhe ministrat nga postet ekzekutive, sepse, sipas tyre, nuk mund të kesh një pozitë ekzekutive dhe njëkohësisht të betohesh si deputet.

Njohës i zhvillimeve politike, Albinot Maloku, tha se Lëvizja Vetëvendosje është e detyruar të gjejë një zgjidhje bazuar në rezultatin zgjedhor.

“Në të dy tentimet ka pasur mungesë të vullnetit nga të dyja palët, por përgjegjësia për zgjidhje mbetet mbi partinë që i ka fituar zgjedhjet, për të iniciuar procedurat për konstituimin e plotë të Kuvendit”, ka thënë Maloku.

Tri partitë, LDK, PDK dhe AAK, kundërshtuan edhe dje që seanca të kthehet në pikën zero, duke kërkuar që të vazhdohej me votimin e raportit që verifikon mandatet e deputetëve, por Lëvizja Vetëvendosje mbajti qëndrimin se nuk mund të votohet një raport që ka dështuar të miratohet.

Emri i kandidatit për kryekuvendar, tha sekretari i Vetëvendosjes, dihet, por shtoi se nuk është momenti për ta thënë.