Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministria e Kulturës i përgjigjet Komunës së Prishtinës, e akuzon për shkelje ligjore në projektin “Xhorxh Bush”

 
   

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar ndaj Komunës së Prishtinës, duke e akuzuar për veprime të jashtëligjshme dhe manipulim të opinionit publik lidhur me projektin e rrugës “Xhorxh Bush”.

Sipas MKRS-së, punimet kanë filluar në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore pa lejen e nevojshme nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).

“Projekti ka nisur pa miratim nga IKMM – një shkelje e qartë e ligjit që mund të sjellë pasoja serioze, përfshirë edhe dëme financiare për buxhetin e shtetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, duke theksuar se Komuna ka vepruar qëllimisht në kundërshtim me ligjet ekzistuese dhe ka tentuar të manipulojë publikun me dezinformata dhe fshehje të informacioneve.

Sipas MKRS-së, Komuna ka aplikuar për leje nga IKMM vetëm pasi inspektorati ka ndaluar punimet e paautorizuara, edhe pse kjo leje do të duhej të kërkohej në fazat fillestare të projektit.

Ministria nënvizon se projekti që ka dorëzuar Komuna ka marrë përgjigje nga IKMM me rekomandime të qarta për harmonizimin e tij me kriteret për ruajtjen e trashëgimisë kulturore – por, në vend të respektimit të këtyre rekomandimeve, Komuna ka zgjedhur të dezinformojë përsëri.

Ministria kritikon ashpër edhe deklaratat publike të kryetarit të Prishtinës dhe drejtorit të Planifikimit Strategjik, të cilët sipas MKRS-së, kanë keqinterpretuar qëllimisht të dhënat ligjore dhe faktike.

“Ata nuk treguan të vërtetën kur thanë se ndërhyrjet kufizohen vetëm në asfalt dhe gypa të azbestit. Projekti parashikon edhe ndërtimin e lokaleve afariste pranë objektit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës – një monument me status të mbrojtur – që do të cenonte ndjeshëm pamjen vizuale dhe vlerën historike të hapësirës”, thuhet më tej në reagim.

MKRS paralajmëron se do të vazhdojë të dokumentojë dhe të paraqesë në organet e drejtësisë të gjitha veprimet që, sipas saj, përbëjnë shkelje sistematike të ligjit nga Komuna.

Ministria gjithashtu u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë me prioritet kallëzimet penale ndaj Komunës së Prishtinës.

“Faktet, dokumentet dhe dëshmitë janë aty dhe flasin qartë për abuzime. Institucionet e kryeqytetit duhet të ndalojnë shkeljet, përndryshe do të përballen me pasojat ligjore”, përfundon deklarata e Ministrisë së Kulturës..