Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Një muaj paraburgim për të miturin e dyshuar për vrasjen e zyrtarit policor në Kaçanik

 
   

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një të mituri, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje.

Sipas njoftimit të gjykatës, masa është caktuar me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, pasi ekziston dyshimi i bazuar se më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, i mituri në bashkëkryerje me personat madhorë H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., kanë privuar nga jeta zyrtarin policor – rreshterin M.L., i cili ishte i punësuar në Stacionin Policor në Kaçanik.

Ngjarja ka ndodhur në hyrje të ndërtesës ku banonte viktima. Ai ishte përcjellë nga të dyshuarit pas përfundimit të orarit të punës në orën 22:53, deri në hyrje të objektit banesor. Sipas hetimeve paraprake, i mituri ka hyrë pas viktimës në objekt dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm.

Pas kryerjes së veprës, i mituri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është bashkuar me të dyshuarin R.M., me të cilin më pas janë parë duke u larguar përmes një rrugice të qytetit, ndërkohë që një zë dëgjohet duke thënë “Bravo ik”, siç është dokumentuar edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë. Provat e tjera vizuale e lidhin të miturin edhe me të pandehurit e tjerë, përfshirë rolin e tyre pas vrasjes.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke aprovuar kështu kërkesën e prokurorit të shtetit konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e pezullon zbatimin e tij.