Më 1 shkurt të këtij viti ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin nga përdorimi. Për çështjen që çoi sërish në çarje të raporteve të Qeverisë Kurti me aleatët kyçë e që u diskutua në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shefja e shtetit, Vjosa Osmani, u kritikua se po hesht. Por, ajo sot në një prononcim pak më të gjatë për gazetarë mori kohën të shpalosë gjithë qëndrimin e saj – se Kosova nuk mundet pa aleatë, mesazh që sipas të gjitha gjasave iu dedikua Kryeministrit Kurti.
Njëri nga zërat që i kërkoi Presidentes qëndrim Osmani pas përkeqësimit të raportit të Qeverisë me SHBA’të sidomos për çështjen e dinarit, ishte kreu i LDK’së Lumir Abdixhiku.
“Pres nga ajo që të mbajë rol qartësues për shtyllat euroatlantike të republikës së Kosovës që të ketë rol në paraqitjet e veta” tha Abdixhiku gjatë një interviste televizive javën që shkoi.
“Pres që edhe ajo të ketë qëndrim sa I përket këtyre çështjeve të rëndësisë së madhe të vendit poër pozitën që e ka si presidente jo si individ, për atë s’brengosem, si president duhet të ketë qëndrim” shtoi Abdixhiku.
Një qëndrim për raportet e institucioneve të vendit me shtetet partnere erdhi të premten nga Presidentja.
Ajo tha se secili që merret me politikë duhet të bëjë çmos që këto relacione të konsiderohen jo vetëm të rëndësishme por ekzistenciale.
Presidentja Osmani ka këshilluar sot të gjithë institucionet dhe ata që merren me politikë që aleatët e Kosovës t’i shohin edhe si ekzistencialë, duke përmendur sigurinë dhe rrezikun nga Serbia.
“Unë i inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, secilin që merret me politikë që të bëjë çmos që këto relacione, në veçanti me SHBA-në, me Mbretërinë e Bashkuar, me shtetet e BE-së, që gjithmonë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme, por si ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë, sepse historia e ka dëshmuar këtë dhe kjo dëshmohet në çdo veprim tonin”, tha Osmani.
Tutje, Presidentja theksoi se SHBA’të dhe vendet partnere nuk duhet vetëm të falënderohen për atë që kanë bërë për Kosovën, por duhet të kihet parasysh se vendi ka probleme të sigurisë.
“Tani Kosova është shtet që është demokraci e konsoliduar dhe e zhvilluar por mos të harrojmë që kemi probleme të mëdha të sigurisë. Në kufi e kemi një shtet që çdo ditë e synon agresionin ndaj Kosovës që çdo ditë synin gllabërimin e territorit tonë, që çdo ditë synon, edhe sot 25 vite pas lufte vrasjen e qytetarëve tanë, siç e pamë edhe me vrasjen e heroit të shtetit tonë Afrim Bunjakut. Në këto sfida neve na duhen aleatët tanë pra jo vetëm si she një falënderimi për atë që e kanë bërë në të kaluarën por edhe si vizion për atë se çfarë na duhet në të ardhmen” ka thënë Presidentja.
Më te,j ajo ka treguar se edhe SHBA si superfuqi flet për bashkëpunim me aleatët.
“Kosova nuk mund të ec përpara vetë. Në fakt, asnjë shtet nuk mundet të ec përpara vetë edhe SHBA’të. Në çdo fjalim të Presidentit Biden, në do fjalim të sekretarit Blinken apo zyrtarëve të tjerë institucionalë ju vëreni një narrativ: ne duam të punojmë së bashku me partnerët dhe aleatët tanë. Dhe kur kjo është e vërtetë për superfuqinë botërore për SHBA është miliona herë më e vërtetë për shtete si Republika e Kosovës. Pra ta thjeshtësoj në qoftë se dëshirojmë të kemi sukses në rrugën përpara duhet ta bëjmë këtë me aleatët, nuk mundet të ketë Kosova asnjë sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunimin dhe pa mbështetjen e aleatëve. Pra edhe Kushtetuta edhe aleatët, nuk e përjashtojnë këto njëra tjetrën” theksoi ajo.
Presidentja tha as që e konsideron si “çështje” punën e dinarit, por pati një propozim, për të cilin tha se fare lehtë e zgjidh problemin që përplasi Kosovën me aleatë.
“Kjo që po quhet çështja e dinarit nuk është çështje e dinarit fare. Askush nuk është duke kërkuar që të mos zbatohet rregullorja e BQK-së apo të shfuqizohet ajo. E tëra që po kërkohet është që të ndërtohet një plan tranzicioni që i merr parasysh të gjitha nevojat e qytetarëve të rëndomtë të cilët marrin ndihmë financiare nga Serbia. Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, në fakt s’është dashur të bëhet çështje fare. Nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatët tonë fare. Nëse ka vullnet, me një takim që mund të zgjasë disa orë mund të ulen të gjitha institucionet relevante – ato që e zbatojnë në praktikë -dhe të dalin me hapa konkretë, bazuar në ligj dhe të marrim edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj, sepse kjo çështje pastaj nëse nuk zgjidhet me kohë mund të krijohen edhe probleme të mëtejme”.
Osmani tha se kërkesa e ndërkombëtarëve për Kosovën është që të nxjerrë një plan tranzicioni dhe se nuk i kërkohet as shtyrja e as anulimi i rregullores së BQK-së.
“Edhe Kushtetua edhe aleatët, se përjashtojnë njëra-tjetrën”.
Pas deklaratave të forta të zëvendësndihmës sekretarit amerikan të shtetit për çështjet europiane, James O’Brien, se nëse Qeveria e Kosovës s’e trajton SHBA-në si partnere as ajo s’do ta trajtojë atë, doli ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier, në një konferencë për media që vazhdoi retorikën e njëjtë mbi paralajmërimet për Qeverinë e Albin Kurtit.
Hovenier aty tha se situata me dinarin tashmë ka ndikuar në kualitetin e raporteve Kosovë-SHBA.
“Ne jemi të shqetësuar, madje mund të them të frustruar që Qeveria e kryeministrit Kurti nuk e ka bërë këtë”, tha ai.
Kur po fliste për masa të mundshme kundër Kosovës, Hovenier tha se gjuha që kishte përdorur O’Brien është e qartë.
“Ne do të shpresonim që Qeveria e kryeministrit Kurti do të angazhohet siç bëjnë partnerët dhe të zgjidhin këtë çështje bashkë në vend se të marrin vendime të njëanshme dhe në mospërputhje të drejtpërdrejtë me atë që kemi kërkuar të bëjmë”.
Pas këtyre ngjarjeve, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, doli me një kerkesë për krerët e vendit që të mos heshtin dhe të mos “e marrin në qafë Kosovën”.
“Besoj se duhet ne në Kosovë të gjithë të kemi qartësi pra s’guxojmë më tutje me hesht nëse e shohim ambasadorin në konferencë për shtyp, shqetësimin e tij, emocionin e tij se ai me dhimbje i thotë ato që i thotë, edhe nëse nuk veprojmë nuk është mirë. Pra, së pari i kisha bërë thirrje kryeministrit, presidentes të mos e marrin në qaf Kosovën, pra t’i kthehen një marrëdhënie të besueshme me Amerikën edhe ta synojmë fitoren e krejt fitoreve që është anëtarësimi në NATO, e jo fitore ditore sa me e rrit votën sepse partitë shkojnë e vijnë por Kosova pa Amerikën e ka vështirë”, ishte shprehur Haradinaj.