Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

A duhet Bashkësia Ndërkombëtare të ofrojë garanci për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje në Veri/ Analisti zbulon prapaskenat !

Analisti politik, Melazim Koci, duke folur për Udhëzimin Administrativ dhe pjesëmarrjen e Listës Serbe, thotë se, serbët e Veriut me rekomandim të Beogradit nuk do të dalin në numër te mjaftueshëm për të nënshkruar peticionin.

E krejt kjo, sipas tij, do të ndodh si rezultat që Serbia është kundër marrëveshjes franko-gjermane.

“Udhëzimi administrativ që pritet të marrë një vendim, deri në fillim të shtatorit, me gjasë do të propozoj peticionin si formë e shkarkimit të kryetareve në Veri. Serbet me të drejtë vote duhet ta nënshkruajnë atë peticion (20% e tyre) që kryetarët të shkarkohen. Pasi që Serbia është kundër marrëveshjes franko-gjermane, serbët e Veriut me rekomandim të Beogradit nuk do të dalin në numër te mjaftueshëm për të nënshkruar peticionin. Ky do te jete një pretekst tjetër i serbëve për te minuar marrëveshjen franko-gjermane”, thotë ai.

 Image Melazim Koci 

Koci në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se Udhëzimi Administrativ do të duhej te kërkonte dorëheqjet e kryetareve, në mënyrë që mos t’u japë një shkas tjetër serbëve, qe të minojnë marrëveshjen e Ohrit.

Derisa, thekson se në këtë formë ata do të detyroheshin të dilnin në zgjedhje.

“Rrjedhimisht mendoj se udhëzimi administrativ do të duhej te kërkonte dorëheqjet e kryetareve, që mos t’u japë një shkas tjetër serbeve, që të minojnë marrëveshjen e Ohrit. Në këtë formë ata do të detyroheshin të dilnin në zgjedhje. Nëse do të refuzonin kërkesën e ndërkombëtarëve për dalje në këto zgjedhje, Beogradi do te sanksionohej, sepse do të bëhej krejtësisht transparente se nuk duan zgjidhje për Veriun, por vazhdim te krizës”, deklaron Koci.

Qeveria e Kosovës tashmë i ka filluar procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri të vendit.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka nisur përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore.

Kjo ministri, tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023.