Pjetër Shalës i refuzohet kërkesa për vizitë tek psikologu, ishte lajmi që pushtoi mediat kosovare një ditë më parë duke proklamuar një shkelje të të drejtave themelore.
Refuzimi që gjykata kishte bërë ndaj mbrojtjes së Shalës u konfirmua nga Specialja, por një ditë më pas Dhomat e Specializuara kanë dhënë sqarime duke thënë se refuzimi ka qenë teknik.
“Trupi Gjykues ka thënë se kërkesat e tilla duhet të kalojnë përmes Regjistrit dhe jo gjyqtarëve. Kur bëhet fjalë për vizitat dhe trajtimin mjekësor dhe psikologjik në përgjithësi, të paraburgosurit marrin të paktën të njëjtat standarde të kujdesit shëndetësor siç janë të disponueshme në Holandë.
Të gjithë të paraburgosurit marrin vizita të rregullta nga zyrtari mjekësor në ambientet e paraburgimit dhe mund të kërkojnë kujdes mjekësor në çdo kohë. kërkesat për takime me psikologë ose specialistë të tjerë mjekësorë janë të mundshme dhe duhet të bëhen përmes ambienteve të paraburgimit që menaxhohen nga Regjistri”.
Se i njejti nuk ka qenë një refuzim i drejtpërdrejtë vetëm një ndryshim procedurash se si duhet të ndodhin vizita të tilla e thotë edhe Amer Alija që bashkë me Fondi për Të drejtën Humanitare monitorojnë punën e këtij organi të drejtësisë.
Por më ashpër e vlerëson këtë vendim Bardh Ahmeti nga PSD që thotë se kjo nuk është hera e parë që shkelin të drejtat bazike e të akuzuarve në Hagë.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.