Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën angleze, ka folur për zhvillimet në Veri dhe tensionet që u shkaktuan atje pas sulmit terrorist dhe grumbullimit të forcave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.
E pyetur nga gazetari i DW nëse NATO ka një plan në rast se Serbia vendos ta kalojë kufirin, Smith ka thënë se Aleanca është duke e monitoruar situatën derisa është duke u siguruar se KFOR ka aftësitë dhe personelin e mjaftueshëm për tu përballur me çdo eskalim të ardhshëm.
“Aleanca e NATO-s ka një mision të quajtur KFOR atje. Jemi përballur me destabilizim në rajon që lidhet me ngjarjet që ndodhën para dy javësh, ku u vranë disa persona dhe po ashtu edhe me dhunën dhe destablizimin që ndodhi gjatë majit të kaluar . Ne u takuam për këtë çështje të premten për të biseduar se çfarë mund të bëjë KFOR-i” ka thënë ajo.
Tutje Smith ka thënë se situata në Kosovë është në mendjen e aleatëve të NATO-s dhe se situata do të monitorohet.
“Ajo që kemi bërë për momentin është rritja e disa forca rezervë por edhe po i monitorojmë ngjarjet në terren po bëjmë thirrje për deeskalim por po sigurohemi që forcat e KFOR-it kanë aftësinë që iu duhet dhe personelin që i duhet dhe që të jenë në nivelin e lartë të gatishmërisë, që të përgatiten për çdo eskalim të ardhshëm . Pra është diçka që është në mendjen e aleatëve të NATO-s dhe do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën nga afër” ka theksuar Smith.