Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

A ka filluar pagesa e rrymës në veri? Flasin nga ZRRE-ja dhe kryetarët e Komunave

 
   

Më 9 dhjetor të 2023-tes, KEDS pati njoftuar se kanë nënshkruar kontratë me “Elektroserver” për të shpërndarë dhe furnizuar me energji elektrike Komunat veriore, Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Leposaviqin  e Zveçanin.

Megjithëkëtë,  ende në disa pjesë veriore të Kosovës nuk ka filluar faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar.

Lidhur me pagesat e rrymës në veri, Fo ka dërguar pyetje edhe tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Nga ZRrE kanë thënë se furnizuesi është i detyruar të sigurojë që konsumatorët të jenë të faturuar për energjinë e shpenzuar.

“Sipas legjislacionit në fuqi, Furnizuesi është i obliguar që faturat e energjisë elektrike t’i shpërndaj tek të gjithë konsumatorët tek të cilët është kryer leximi i njehsorëve. Në përputhje me Rregullën për Kushtet e Përgjithshme të Furnizimit me Energji, Furnizuesi është i  obliguar të faturojë dhe arkëtoj pagesat prej konsumatorëve. Furnizuesi është i detyruar të sigurojë që konsumatorët të jenë të faturuar për energjinë e shpenzuar me llojin e tarifës të dakorduar me konsumatorin”.

Qytetarët që nuk kanë njehsor të energjisë elektrike duhet të nënshkruajnë kontratë për furnizim, thonë nga ZRrE.

“Nëse ndonjë nga konsumatorët nuk ka njehsor energjisë elektrike apo matësi i tyre nuk është funksionalë, konsumatorët duhet të nënshkruajnë kontratën për furnizim dhe pastaj KEDS duhet t’i instalojë/ndërrojë njehsorët elektrik në mënyrë që konsumatorët të kenë matje të shpenzimit të energjisë elektrike”.

Tutje, në përgjigjen e ZRrE kanë treguar se si duhet të bëhen pagesat e faturave të energjisë.

“Sipas Rregullës për Kushtet e Përgjithshme në Sektorin e Energjisë, pagesa e faturave duhet të bëhet në qendrën e specifikuar për arkëtim nga Furnizuesi çdo ditë të punës gjatë orëve të përshkruara, ose me ndonjë mënyrë tjetër të specifikuar në faturë apo në kontratën për furnizim”.

Faturimi në Mitrovicë të Veriut ende nuk ka filluar, ndryshe nga Zubin Potoku e Zveçani.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljani ka deklaruar për “Front Online” se as regjistrimi i popullsisë nuk ka përfunduar në disa zona.

“Në lagjen e boshnjakëve nuk ka filluar ende pagesa, nuk është bërë as regjistrimi më së paku 50-60% e popullsisë. Ku janë komunitetet jo-shumicë veç 30%  ka filluar, tek lagjja e Boshnjakëve”.

Ugljani ka shprehur pakënaqësi për menaxhimin e punës së “Elektroserver”.

Ai thotë se ecuria e punëve në terren nga kjo kompani është e ngadalshme.

“Ne nuk po i ikim obligimeve për rrymë, por kompania nuk ka filluar në disa vende as t’i vendos aparatet elektronik, ecuria është e ngadalshme nga Elektroserver”.

Ende rrymë po paguhet paushall, thotë Ugljani.

“Disa qytetarë po e paguajnë paushall edhe pse ka kaluar tre mujorshi i caktuar, por nuk e di qysh po e llogarisin. Situata me Elektroserver duhet të përmirësohet për terren, një ditë punojnë e pastaj një muaj jo”.

Në disa zona të Zubin Potokut nuk kanë ardhur faturat për rrymën ende, thotë kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri.

Ai deklaroi se pagesat paushall janë në funksion.

“Në disa lagje veç se ka filluar, por tek komuniteti jo shqiptar ende nuk i kanë pru faturat. Në disa lagje nuk kanë ardhur faturat, i kanë të përgatitura por me siguri i sjellin ashtu siç kanë thënë nga 21 euro, njëfarë paushallë derisa të bëhet instalimi i orëve”.

Ndërsa, në komunën e Zveçanit, kryetari Ilir Peci ka deklaruar se nga muaji i kaluar ka filluar pagesa nga disa qytetarë.

“Sipas informatave qe kemi muajin e kaluar kanë paguar disa nga qytetarët, por ende ka pagea paushall”, thotë Peci.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2010 deri në vitin 2022, për rrymën e shpenzuar në veri janë paguar gjithsej 237 milionë euro (mesatarisht 19 milionë euro në vit).