Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është themeluar në vitin 1975, nga Kuvendi i atëhershëm i Kosovës. Ka 22 anëtarë të rregullt e 13 me korrespondencë. Shtrohet pyetja: Pse, krahas ngjarjeve shumë të rëndësishme në Kosovë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës asnjëherë nuk del me vërejtje, propozime, sugjerime?!
Edhe pse Kosova tash është e pavarur, ka kohë që ballafaqohet me probleme e sfida të ndryshme.
Por, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës
asnjëherë nuk është prononcuar për asnjë problem a sfidë nëpër të cilën po kalon Kosova që nga paslufta e deri më sot!
Akademia mund ta thoshte fjalën e saj rreth problemeve dhe debateve për kufirin me Maqedoninë e Veriut, kufi që njohu fshatrat e Kosovës në përbërje të Maqedonisë!
Edhe ngjarja me demarkimin e kufirit me Malin e Zi, për të cilin ishin organizuar disa tubime të profesorëve dhe politikanëve, që kishin shërbyer si zyrtarë në ish-Jugosllavi, Akademia nuk e tha asnjë fjalë!
Edhe për marrëveshjet e Brukslit për dialogun Kosovë-Serbi, ASHAK do të duhej ta merrte rolin që do i takonte si institucion kulmor i dijes shkencore në Kosovë, meqë të gjitha problemet politike me Serbinë reflektojnë në terrenin e Kosovës.
As me statusin përfundimtar të Planit të Ahtisarit, Akademia nuk priu me ndonjë ide, propozim a sugjerim, e që do duhej ta bënte!
Edhe ngjarjet që ndodhën dhe po ndodhin çdo ditë me kolonizimin e pjesës Veriore të Kosovës, për Akademinë e Shkencave dhe Arteve nuk paraqet kurrfarë problemi, sepse jemi dëshmitarë se asnjë reagim nuk ka pasur nga institucioni më i lartë shkencor i Kosovës!
Ndërkaq, individë jashtë Akademisë, konkretisht historiani Jusuf Buxhovi dhe profesori universitar Nysret Pllana, i pari me të dhëna historike e i dyti me vrasjet dhe gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë, u kanë plasuar botës se çka ka ndodhur para dhe pas lufte në Kosovë.
Por, mendoj se një pjesë të fajit në këtë vazhdë të ngjarjeve e kanë edhe te televizionet tona, e veçmas televizionet publike, që në tryeza dhe debate të ndryshme televizive kurrënjëherë s’na ka rënë të shohim ndonjë akademik në debate!
Shtrohet pyetja: Pse ndodhë kjo? Injorohen akademikët apo?
Sidoqoftë, Akademia duhet të zgjohet nga gjumi. Sepse, për Kosovën nuk mjafton vetëm të botojnë libra shkencorë, por edhe ta ndihmojnë Kosovën me ide, propozime e sugjerime, në mënyrë që Kosova të ecë drejt përparimit të saj. Safet Krivaça /Kosovarja/