Zyrtari i PDK-së, Përparim Gruda, iu është kundërpërgjigjur zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahut, pasi ky i fundit pretendoi se Gruda e ka kërcënuar kryediplomaten Donika Gërvalla dhe diplomatin e dyshuar për skandal financiar, Martin Berishaj.
Gruda, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Sallahu po gënjen, meqë sipas tij, një gjë të tillë nuk e ka thënë kurrë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Zv. Ministri i Drejtësisë gënjen publikisht, unë nuk e kam thënë këtë kurrë”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka thënë se as Berishaj e as Gërvalla s’kanë jetuar kurrë në Kosovë, teksa i ka quajtur “turista të pushtetit”
“E verteta është se Martini kurrë s’ka jetu në Kosovë as Donika. Këta janë turista të pushtetit. Pyetja është a ka me ikë edhe Albini në Norvegji pasi që ta shkaterron Kosovën siç e ka fillu?”, ka thënë ndër të tjera Gruda.
Reagimi i tij vjen pasi që zëvendësminstri Sallahu tha se Gruda i PDK-së kërcënoi Gërvallën e Berishajn, teksa po fliste për dyshtetësinë e tyre.
“Në këtë konferencë ai tha “Meqë Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj i kanë nga dy pasaporta, kur ta merrë mandatin PDK, ata nuk do të jetojnë në Kosovë”. Ky është kërcënim dhe njëkohësisht dhunim brutal i të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuar me kushtetutë”, deklaroi ndër të tjera ai. /Insajderi.org/