Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar së fundmi për mediat serbe se aktualisht Serbia është më afër NATO-s se sa Kosova.
Hill kështu është përgjigjur kur është pyetur në mënyrë provokuese nga gazetari serb për qëndrimin e Uashingtonit ndaj UÇK-së gjatë kohës së luftës.
“E dini, në fakt, nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova”, ka thënë ambasadori Hill.
Deklarata e tij ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Sipas, aktivistit të shoqërisë civile Rron Gjinovci, ka thënë se nëse ky është qëndrimi i Amerikës, si duhet të besohet në Kosovë që Perëndimi është me të.
“Ambasadori i SHBA-ve në Beograd thotë që Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova. A ka nevojë mo me dhanë naj koment shtesë për SHBA-në dhe qëndrimet e saj karrshi Kosovës? Nëse ky është qëndrimi i SHBA-së, unë nuk e di qysh po mendojnë se na mujmë me besu që perëndimi është me neve, ose të paktën neutral”, ka shkruar Gjinovci në një postim në Facebook.
Hillit dje i ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Serbia është vendi i vetëm që është më larg NATO-s, e ajo është më shumë e afërt me Rusinë.
Ajo ka thënë se Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka aspirata për në NATO, dhe refuzon që ti vendosë sanksione Rusisë.
“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s sesa Serbia, e ajo është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat qendrore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet të cilat shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, siç është Serbia, lëre që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë që një ditë të jetë pjesë e NATO-s”, ka deklaruar Osmani.