Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e 248-të, të mbajtur të martën ka miratuar Strategjinë për Komunikim të Sistemit Prokurorial.
Pas prezantimit të kësaj strategjie nga drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, duke treguar për një konferencë të mbajtur në Shqipëri i njëjti ka thënë se në të ardhmen duhet të diskutohet që mbledhjet e KPK-së të mos mbahen online, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë e kam një koment, se e ceki prokurori Besim për punën e mbledhjeve, absolut nuk jemi kundër, ne jemi vazhdimisht të hapur dhe kemi qenë pro mbledhjeve online. Mirëpo në një takim, një konferencë rajonale që e kemi pas në Vlorë ne kemi qenë nga Sistemi Prokurorial i Kosovës, i Shqipërisë dhe i Bosnjës dhe në atë takim ka qenë një përfaqësues i Këshillit Konsultativ të prokurorëve, të gjyqtarëve të Evropës dhe në takim ka dal që nuk rekomandohen të mbahen mbledhjet online, mirëpo çdo vendim normal duhet të publikohet, meqenëse gjatë mbledhjes përmenden emra të ndryshëm që nuk duhet të përmenden që janë të mbrojtur në bazë të ligjit”, tha kryesuesi Hajdaraj.
Ai ka shtuar se mbledhjet do të transmetohen online në vazhdimësi deri sa nuk diskutohet me mediat dhe shoqërinë civile dhe me partnerët për këtë çështje.
“Absolut neve na mbetet të ardhmen të diskutojmë edhe me shoqërinë civile edhe me media për punë të kësaj mbledhjeve. Mirëpo, ne nuk e kemi këtë rekomandim me shkrim akoma por e kemi marr si rekomandim prej prokurorit atje në konferencë tash nuk është rekomandim do ti transmetojmë mbledhjet online vazhdimisht deri sa ta diskutojnë këtë edhe me partnerët edhe me shoqërinë civile edhe me mediat”, tha Hajdaraj.
E me këtë qasje të kryesuesit Hajdaraj nuk është pajtuar anëtari nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi e cili një propozim apo rekomandim të tillë e ka quajtur kthim mbrapa dhe të papranueshëm.
“Ajo çka duhet me pas kujdes dhe kur përmendim emra, me përmend iniciale sepse na e kemi një ligj për mbrojtjen e privatësisë dhe kur përmenden emra dhe çështje ato duhet me u kursy. Përndryshe, ky Këshill nuk ka qenë kështu siç është tani këtë dijmë, takimet e Këshillit nuk kanë qenë shumë kaq transparente, ka nevojë prapë me u avancu transparenca. Por absolutisht jam kundër që takimet e Këshillit të mos jenë publike dhe të mos jenë online. Kjo përpjekje apo ky propozim me na kthy mbrapa është i papranueshëm”, tha Krasniqi.
E kryesuesi Hajdaraj, ka vazhduar ta sqarojë edhe më tutje, duke thënë se ajo çka tha nuk ishte propozim e as rekomandim dhe se do të diskutohet me shoqërinë civile dhe të gjithë akterët.
“Nuk është propozim, nuk është rekomandim tash, mirëpo do ta diskutojmë edhe me shoqërinë civile edhe me media edhe me gjithë akterët, mirëpo nëse na e shkelim pa dashje ligjin dhe zbulojmë informata që nuk duhet me u zbulu, ose me u zbulu identiteti ndonjë prokurori apo që është procedura, qoftë avancimit qoftë procedura të rekrutimit atëherë ne bëjmë shkelje. Ky ka qenë rekomandim mirëpo nuk e thash sot”, shtoi kryesuesi.
E anëtari tjetër, Armend Zenelaj tha se duhet shikuar edhe praktikën e vendeve të tjera në rajon.
“Ju e thatë, as nuk e propozuat as. Ju e thatë që një takim që e keni pas në Shqipëri është diskutu kjo, është mirë që me i pa praktikat si janë në rajon. Nëse praktikat në rajon janë atë që po e thuni ju edhe na pse mos me..”, tha Zenelaj.
Tutje, duke replikuar me anëtarin Zenelaj, kryesuesi Hajdaraj tha se në takimin që kanë pasur pikërisht rekomandimi ka qenë për Shqipërinë dhe Kosovën, pasi sipas tij Bosnja nuk i mban takimet online.
Lidhur me këtë çështje është shprehur edhe u.d kryeprokurori i shtetit, Besim Kelmendi, i cili ndër të tjera ka thënë se kryesuesi Hajdaraj vetëm tregoi se çka ka dëgjuar në takim dhe se çdo gjë duhet të bëhet në koordinim dhe konsultim me shoqërinë civile.
“Jemi në një pikë të rendit të ditës ku po flasim për Strategjinë e Komunikimit të Sistemit Prokurorial dhe kryesuesi vetëm tregoi se çka ka dëgjuar në një takim zyrtar në mes të tre këshillave të tri shteteve por nuk propozoi. Unë s’po e konsideroj as propozim që me u shqyrtu kjo. Ajo çka tha kryesuesi që mua më pëlqej çdo gjë që bëhet sa i përket transparencës është mirë të bëhet në konsultim dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile, qoftë edhe me mediat”, tha Kelmendi.
Pas këtij diskutimi anëtarët e Këshillit miratuan Strategjinë e Komunikimit të Sistemit Prokurorial.
Paraprakisht, edhe anëtarja e këshillit, Jehona Grantolli, ka pasur kritika në drejtim të shoqërisë civile dhe mediave lidhur me ftesat për emisione të përfaqësuesve të sistemit prokurorial.
“Ju e dini shumë mirë që kohëve të fundit por edhe në vazhdimësi po dalin njerëz dhe po flasin në emër të sistemit prokurorial dhe besoj që tani e tutje dhe besoj që gjithmonë e kemi pas të rregulluar bazën ligjore shumë mirë me akte tona, por që do doja të ju bëja edhe një thirrje të gjithë atyre që, sidomos shoqërisë civile edhe mediave që dëshirojnë të kenë përfaqësues të institucioneve në emisionet e tyre e dinë ku është adresa, besoj dhe mos të jenë tendencioz ose mos të jenë të drejtuar në atë formë sipas shoqërive që kanë por t’i drejtohen institucionit në mënyrën konkrete ligjore ashtu siç kërkohet edhe me dispozitat ligjore në fuqi”, tha Grantolli.
Sipas saj, me strategjinë për komunikim duhet të bëhen të qarta të gjitha sfidat.
“Kjo strategji mendoj që do ti konkretizojë dhe ti bëjë të qarta të gjitha këto sfida të cilat janë të vazhdueshme dhe tu bëjë të qartë edhe mediave dhe shoqërisë civile që ne jemi të hapur për bashkëpunim, për komunikim sa herë që ne ftohemi në diskutime, në takime apo tryeza të ndryshme, nuk kemi pasur asnjëherë hezitim. Që do të ishte mirë që me këtë strategji edhe një herë të specifikoheshin edhe rregulloheshin shumë fusha me rëndësi e sidomos kjo”, shtoi Grantolli.
Tutje, ajo ka thënë se duhet të ketë bashkëpunim në nivelin maksimal mes Kryeprokurorit të shtetit dhe KPK-së.
“Po ashtu, bashkëpunimi mes Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial duhet të jetë në nivelin maksimal të duhur në mënyrë që ne të jemi korrekt edhe me shoqërinë civile edhe me mediat edhe me opinionin publik për të gjitha informatat e vërtetuara dhe informatat që plasohen para opinionit publik, për të mos lënë vend për dyshime të cilat mund të dëmtojnë rëndë imazhin e sistemit prokurorial”, tha Grantolli.
Ndryshe, KPK gjatë këtij takimi ka miratuar edhe transferimin e prokurores Ardiana Veseli në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm. E njëjta do të transferohet me 10 qershor 2024.
Ndërsa, sa i përket konkursit për avancim të një prokurori në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Kelmendi tha se nuk ka pasur asnjë kandidat të interesuar.
Tutje, KPK ka shpallur konkursin e brendshëm për avancim të gjashtë prokurorëve në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, gjatë takimit të sotëm me dyer të mbyllura, KPK ka mbajtur seancë dëgjimore lidhur me rastin disiplinor ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren me nr. të rastit. AD.nr.08/2023.
Po ashtu, gjatë takimit të sotëm Kryeprokurorët e Prokurorive kanë raportuar për periudhën janar-mars 2024.
Ndryshe, se sa transparent ka qenë KPK-ja në vitet e kaluara IKD ka publikuar raporte periodike e të cilat raporte i gjeni këtu dhe në këtë link.