Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

A kanë ndikuar deklaratat e Kurtit për anulimin e takimit të qeverive, kjo është përgjigja e Ramës

 
   

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nuk kanë ndikuar deklaratat e kryeministrit, Albin Kurti në vendimin e tij për ta anuluar takimin e dy qeverive, që planifikohej të mbahej nesër në Gjakovë.

Ai ka thënë se ka disa ditë që është përpjekur që ta takojë kryeministrin Kurti, por ka lënë të kuptohet se është refuzuar, megjithatë ka thënë se deklaratat e sotshme të Kurtit, kanë pasur zero ndikimin në vendimin e tij.

“Zero. Zero sepse së pari përpjekja ime për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, nuk ka filluar sot. Ka disa ditë që i kam kërkuar të takohemi për të biseduar për këtë situatë. E dyta, sepse siç them unë atë që mendoj, edhe Albini thotë atë që mendon. Nuk ka surpriza dhe sic më njeh ai mua, e njoh edhe unë atë”, ka deklaruar Rama në një konferencë të jashtëzakonshme.

Megjithatë, sipas Ramës, marrëdhënia e tij me Kurtin është e shëndetshme. Ai ka thënë se Kurti është i sinqertë dhe e thotë atë që e mendon.

“Është i sinqertë në atë që thotë. Ai beson se thotë diçka të rëndësishme që unë duhet ta marrë në konsideratë. Madje mendoj që është mirë, është pjesë e marrëdhënies së shëndoshë që e kemi me Albin Kurtin sepse themi atë që e mendojmë kur pajtohemi dhe kur nuk pajtohemi”, ka thënë ai.

Tutje, sipas Ramës, Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq janë të njëjtë në qëllimin e tyre për të mos e zbatuar Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

Sipas tij, që të dy duan të ndezin sentimente nacionaliste.

“Zero sepse ka disa njerëz që janë të painteresuar për Asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë, jo në kuptimin që janë marrë vesh, por janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet dhe këta janë kryeminsstri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, sepse për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e brendshme, u duhet armiku i jashtëm”, ka thënë tutje ai.

“Pse i çon presidenti i Serbisë ushtarët te kufiri i Kosovës? Se mendon që në ëndrrën e tij më kurajoze, mund të futet një ushtar serb një metër në kufirin e Kosovë? Absolutisht jo. Por pse i çon, jo për të mbrojtur serbët në Kosovës, por për të ndezur shpirtin nacionalist në Beograd dhe në Serbi. Për cfarë i duhet Kosovës luftë me Serbinë? Serbia e ka humbur një herë luftën në ’99-ën dhe nuk ka më cfarë i bën Kosovës, sepse aty është Amerika, e cila sot është në acarimin maksimal me Qeverinë e Kosovës”, ka deklaruar kryeministri shqiptar.

Duke e komentuar propozimin e Edi Ramës për statutin e Asociacionit, kryeministri Kurti i ka sugjeruar Ramës që t’ia propozojë Serbisë draftin e statutit të Asociacionit që ta implementojë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ai ka thënë për këtë gjë, Ramën e detyron Kushtetuta e Shqipërisë.