Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

A po na e shkatërron jetën varësia ndaj ekraneve?

Shpërqendrimi nga pajisjet digjitale po shkatërron shumë jetë dhe marrëdhënie. Varësia digjitale ekziston vërtetë, thonë ekspertët.

Mjafton që të sillni në vëmendje se celularët i prekim të paktën 2600 herë çdo ditë, panikun kur nuk gjeni dot celularin, përvojën e “sindromës së dridhjeve fantazmë” dhe se si thjesht të shohësh një “notification”,  mund të jetë po aq shpërqendruese sa edhe kontrollimi i vetë mesazhit.

Të gjitha këto shoqërohen me pasoja.

Si ndikojnë ekranet në ndërveprimet tona

Sipas një studimi, njerëzit janë më shumë vetëshërbyes (gënjejnë më shumë ), më negativë (për shembull, duke u dhënë të tjerëve vlerësime më të ulëta të reagimeve) dhe më pak bashkëpunues kur përdorin mjete digjitale të komunikimit.

Dhe për fëmijët nën pesë vjeç, ka shqetësime serioze për zhvillimin e trurit.

Frika e studiuesve për rritjen e sasisë së kohës të shpenzuar para ekranit tek të rriturit dhe te fëmijët përfshin tri fusha kryesore: shëndetin mendor, varësinë dhe nivelin e angazhimit me atë që po ndodh rreth nesh. Në të tria, rreziqet janë përgjithësisht të tepërta.

Sipas ekspertëve, mënyra më e mirë për të vlerësuar kohën e kaluar mbi ekrane është të bëjnë dy pyetje: Së pari, çfarë po bëni me kohën që po i kushtoni celularit dhe a është kjo kohë e shpenzuar në këtë mënyrë, në përputhje me vlerat dhe prioritetet tuaja?

Nëse mendoni se ju dhe fëmijët tuaj po e shijoni kohën para ekranit dhe nuk rrezikoni gjumin, punën ose ndërveprimet personale, mund të mos keni shumë arsye për shqetësim.

Në ndihmë mund t’ju vijnë mjetet dhe aplikacionet që gjurmojnë kohën dhe ju bëjnë të ditur se ku po e përqendroni më shumë vëmendjen.

Së dyti, cilat janë pikat tuaja qorre se ku dhe si përdorimi i telefonit mund të kufizojë pjesën tjetër të jetës suaj?

Shumica prej nesh e kuptojnë se nuk duhet t’i përdorim telefonat menjëherë para gjumit ose, edhe më keq, kur drejtojmë makinën ose kur kalojmë rrugët, dhe ne e dimë se duhet të mbajmë një sy te fëmijët dhe adoleshentët për t’u siguruar që ata po krijojnë zakone të mira brenda dhe jashtë sferës digjitale.

Hulumtimi i fundit ofron disa mësime. Si fillim, ne nuk jemi aq të mirë sa mendojmë në kryerjen e shumë detyrave. Ne përgjithësisht i kushtojmë shumë më pak vëmendje të dyja detyrave kur përpiqemi të bëjmë dy gjëra në të njëjtën kohë.

Me kalimin e kohës, njerëzit që e bëjnë këtë vazhdimisht përfundojnë me përqindje më të mëdha gabimesh në gjërat që marrin përsipër.

Edhe prania e thjeshtë e një telefoni mund të kufizojë angazhimin tuaj me punën dhe aftësinë tuaj për t’u socializuar me të tjerët.