Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

A pritet blerje e armëve nga Kroacia, pas vizitës së Osmanit në fabrikën e armëve

Gjatë vizitës së saj zyrtare në Kroaci, presidentja Vjosa Osmani të mërkurën u ndal edhe në një fabrikë të prodhimit të armëve.

Madje, përmes rrjetit social Facebook ajo postoi një fotografi ku shihej teksa provonte një armë të kësaj fabrike.

Televizioni ka kërkuar të marrë përgjigje nga Presidenca se a është duke u negociuar me shtetin kroat blerja e armëve të tilla, por që një gjë e tillë nuk u konfirmua për shkak të konfidencialitetit.

“Këto janë çështje konfidenciale që nuk mund t’i ndajmë me publikun në këtë moment”, ka thënë Kupina për Tëvë 1.

E ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati thotë se blerje të tilla do të ishin të mirëpritura për shkak se Kroacia është ndër shtetet prodhuese më të mëdha të armatimit në rajon.

Ky tregon se përdorimi i tyre nuk është i kufizuar, andaj potencon se aktualisht i gjithë armatimi që blihet përdoret për trajnim nga pjesëtarët e FSK-së.

Edhe ish-koloneli ushtarak, Hysen Gecaj vlerëson se këto blerje janë të dobishme për shkak se janë në një linjë drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Megjithatë, sipas tij, këto nuk mund të përdoren pa ndonjë marrëveshje me shtetin kontraktues, sepse në të kundërtën, siç thotë ai mund të ketë edhe pasoja.

Në fillim të këtij viti, në sirtarin e ushtrisë së Kosovës u shtuan pesë dronë Bajraktar nga Turqia të cilët janë më të sofistikuarit e që përdoren në luftëra të ndryshme në botë.

Ndërkaq, këtë vit buxheti i ndarë për FSK-në është më i larti ndonjëherë, duke prekur shifrën e 123 milionë eurove.