Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

A pritet të ketë zgjedhje në veri të vendit/ Ky është paralajmërimi që jepet për këtë çështje!

Sulmi terrorist në veriun e Kosovës që mbeti i vrarë polici nga Kosova, Afrim Bunjaku ka arritur të sjellë tensione në vendin tonë.

Terroristët të cilët u munduan me planin djallëzor të hyjnë në Kosovë u ndeshën në rezistencë nga policët e Kosovës.

Ky sulm terrorist ka ngjallur reagime edhe nga ndërkombëtarët duke e dënuar ashpër.

Mirëpo, të gjendur në këtë situatë sa mund të jenë afër zgjedhjet të reja në katër komunat e veriut?

Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat veriore të vendit, popullata serbe që është shumicë në këto zona, ka kushte.

Ata gjatë një bashkëbisedimi thonë se duan që fillimisht të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pastaj që policia të tërhiqet nga veriu, të lirohen të gjithë të burgosurit serbë, si dhe kryetarët shqiptarë të komunave të tërhiqen, në mënyrë që ata pastaj të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizoheshin nga Qeveria e Kosovës.

Këto kushte normalisht që janë të paparanueshme nga Qeveria e vendit.

Mirëpo kujtojmë që zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore të Kosovës përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira që nga 26 maji e tutje, ndërsa në këto zgjedhje do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve si votues, por edhe si kandidatë

Por pavarësisht kësaj a pritet caktimi i një date të zgjedhjeve të reja në një situatë të tillë?

Burjani: Kërkohet qetësim dhe stabilitet i plotë në veri

Image
Blerim Burjani

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi BlerimBurjani.

Ai u shpreh se së pari duhet të krijohet një stabilitet në veri pas sulmit terroistë që u bë nga serbët.

“Kërkohet qetësim dhe stabilitet i plotë në veri, kjo nuk do të mund të ndodhë edhe për një kohë. Dihet se është urgjente mbajtja zgjedhjeve në veri por duhet të pritet edhe pak për të krijuar stabilitet politik dhe siguri më të madhe”, u shpreh ai.

Më tej, juristi thekson që fillimisht duhet të qetësohen traumat njerëzore, pastaj të mendohet për zgjedhje.

“Traumat njerëzore duhet të qetësohen pastaj duhet organizuar zgjedhje, sa më parë që mundet të bëhet organizimi aq më mirë do të bëhet. Njëherë nuk ka kushte”, foli Burjani për “Bota sot”.

Duhanaj: Ne duhet të qëndrojmë konsistent në qëllimet tona si shtet

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj për “Bota sot” tha që akti terrorist i serbëve shpërfaqi fytyrën e vërtet të Serbisë edhe tek ndërkombëtarët.

Sipas tij, SHBA dhe BE duhet të i flasin më gjuhën e vetme që ata kuptojnë në mënyrë që të ketë zgjidhje.

“Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, pas aktit terrorist nga strukturat e terrorit serb, kanë sjellë në pah, fytyrën e vërtetë, apo amoralitetin të politikës serbe. Në njërën anë duke vajtuar në tavolinën e bisedimeve, për kinse të drejta të serbëve, përderisa në anën tjetër ndërmarrin masa për sulme terroriste me qëllimin e qartë, nxitjen dhe eskalimin të gjerë. Se a do të mbahen zgjedhjet apo jo, varet krejtësisht nga qasja që ndërkombëtarët do ta kenë karshi Beogradit zyrtar. Në qoftë se SHBA dhe BE, do t’i flasin Vuçiq dhe Serbisë, me gjuhen e vetme që ata kuptojnë, atëherë mund të ketë zgjedhje dhe zgjidhje të ngërçit. Ndryshe nuk besoj që mund të ndodhë ndonjë përparim”, thekson ai.

Në fund, analisti kërkon edhe nga Kosova të jenë syçelë dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me miqtë ndërkombëtar.

“Në anën tjetër, gjithashtu nuk duhet harruar se edhe pala e Kosovës, duhet të jetë syçelë dhe të mos e degradoi procesin. Ne duhet të qëndrojmë konsistent në qëllimet tona si shtet, por gjithnjë duke qenë proaktiv dhe bashkëpunues me miqtë tanë amerikanë e europianë. Pra, kërkohet seriozitet i plotë, konsensus nacional, në mënyrë që ta përmbyllim njëherë e mirë problemin me Serbinë, sepse sa me shumë që zgjat aq me dëmshëm do të jetë për Kosovën”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.