Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

A pritet të largohen masat ndëshkuese, pas takimit Kurti-Vuçiq? Paralajmërimi i analistit: Kosova duhet t’i bëjë publike vijat e kuqe

Analisti Politik, Gani Qarri, duke komentuar takimin e radhës të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do të zhvillohet me 14 shtator, thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të jetë e qartë në pozicionimin e saj dhe t’i bëj publikisht me dije vijat e kuqe.

Ndërkaq, sa i përket asaj se a pritet të largohen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovë në këtë takim, ai potencon se, masat e padrejta- ndëshkuese ndaj vendit tonë, do duhej të largohen para 14 shtatorit.

Në fakt duke parë tendencat e hapura për imponimin e vendimeve që e dëmtojnë rëndë Kosovën, rrezikojnë tërësinë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetit të Kosovës, pikërisht në takimin që pritet të mbahet me 14 shtator Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të jetë e qartë në pozicionimin e saj dhe t’i bëj publikisht me dije vijat e kuqe, përtej të cilave, jo vetëm për shkak të masave, por për asnjë çmim nuk mund t’i tejkalojë, akt që do ta ndihmonte Kosovën, për të mënjanuar presionin, tani dhe në fazat e ardhshme të dialogut. Shikuar realisht, sa i takon shtensionimit të gjendjes në veri, të cilën e ka tensionuar Serbia me bandat e Radojçiqit dhe grupet kriminale serbe, të dërguara enkas nga Serbia, për tensionimin sa më kompleks të situatës në veri, Republika e Kosovës ka ndërmarr hapa shumë të rëndësishëm shtensionues duke ulur dy herë numrin e pjesëtarëve të Policisë së shtetit në, dhe përreth ndërtesave komunale, si dhe ka përgatitur ligjin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore, përderisa Serbia jo vetëm që nuk ka kontribuar me asgjë, në këtë drejtim, por as që tregon fare interesim, për shtensionimin e gjendjes”, thotë ai.

Image
Gani Qarri

Derisa flet për situatën në veri, ai thekson se Kosova është e përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq Vuçiqi, sërish nxit forcat radikale për pengimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të pakicës serbe në zgjedhje.

“Madje edhe tani kur Kosova është e përgatitur ligjërisht dhe praktikisht, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira demokratike dhe zgjedhjen e kryetarëve të ri me pjesëmarrjen e lirë të pjesëtarëve të pakicës serbe në votime, Vuçiqi, sërish nxit forcat radikale për pengimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të pakicës serbe në zgjedhje si dhe detyron ata, për paraqitjen e kërkesave radikale, si tërheqja e tërësishme e policisë tonë shtetërore nga kjo pjesë legjitime e territorit të Republikës së Kosovës, gjë që është plotësisht e kundërligjshme, antikushtetuese dhe e papranueshme për institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës. Duke pasur parasysh të gjitha këto, BE në fakt, masat e pa drejta ndëshkuese, ndaj vendit tonë, do duhej t’i hiqte para 14 shtatorit, në shenj respekti për masat e ndërmarra pozitive nga Kosova, balancimin e gjendjes në këtë proces të gjatë e të vështirë dhe trajtimin e barabartë të të dy shteteve dialoguese, si dhe ndëshkimin e Serbisë, për presionin mbi serbët lokal dhe paraqitjen e kërkesave të papranueshme, që nënkuptojnë heqjen dorë të shtetit të Kosovës, nga veriu, si njëra nga pjesët më nevralgjike, më vitale dhe me resurset më jetike të vendit tonë, pa të cilat shteti i Kosovës, nuk mund të mbijetojë”, deklaron ai.

Sa i përket vazhdimësisë së dialogut Kosovë-Serbi, ai vlerëson se BE dhe ShBA-të duhet të kenë qasje më të ashpër ndaj Serbisë.

Përndryshe një dialog i imponuar me presione dhe masa ndëshkuese, është i dënuar paraprakisht, të dështojë, të mos jap rezultatet e synuara dhe të krijojë kaos të ri, në mardhëniet ndërmjet të dy vendeve, për çka edhe pritet, përfundimisht një qasje më e ashpër nga SHBA dhe BE ndaj Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste, nëse vërtet dëshirohet të qetësohet gjendja dhe arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë hegjemoniste, e cila nuk e ka hallin e 20 mijë pjesëtarëve të pakicës serbe, por gllabërimin e tokave me resurset më vitale ujore dhe minerare të Kosovës, si Liqeni i Ujmanit dhe minierat e Trepçës, pa të cilat Republika e Kosovës, nuk mund të mbijetojë si shtet, as të funksionojë si vend i pavarur”, deklaron Qarri për “Bota sot”.

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet me 14 shtator, ka njoftuar në një konferencë për shtyp në Spanjë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Ndryshe, më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

Gjatë konferencës së tij, Borrell ka njoftuar se së bashku me presidencën spanjolle të BE-së do të mbajë një konferencë të përbashkët në nivel të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perendimor për të analizuar situatën në rajon. Ai shtoi se kjo do të bëhet krahas takimeve tjera që do të zhvillohen, siç është samiti i Procesit të Berlinit.

“Çështja e zgjerimit ka qenë në diskutimet tona. Kemi diskutuar për Ukrainën dhe për zgjerimin drejt Ballkanit perëndimor . Do të mbetet proces i zbatuar në meritat individuale”, ka thënë ai duke shtuar se edhe për BE-ja ka nevojë të përgatitet për zgjerim.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka propozuar këtë javë që viti 2030 të caktohet si afati deri kur edhe Bashkimi Evropian, edhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për zgjerim.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri i ka bërë këto komente në një konferencë për shtyp pas takimit joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Toledo të Spanjës.