Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është diskutuar për situatën politike në vend, bëjnë të ditur nga kjo parti.
Tutje thuhet se AAK insiston në zbatimin sa më parë të obligimeve të marra nga ana e Qeverisë së Kosovës në dialog, si një hap që përshpejton rrugën integruese të Kosovës, e veçanërisht perspektivën tonë për anëtarësim në NATO.
“Nisja e procesit për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duhet të trajtohet si urgjencë. Vetëm si anëtare e saj, Kosova është e sigurt dhe me një të ardhme për zhvillim dhe stabilitet”.
“Gjithashtu, Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e sheh me shqetësim mosveprimin e Qeverisë ndaj kërkesave të minatorëve të Trepçës në ditën e tetë të grevës së tyre. AAK vlerëson se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime si dhe i kërkon qeverisë që sa më parë të marrë veprime për plotësimin e tyre”, thuhet në kumtesën për media të AAK-së.