Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, thotë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të mbahen në pranverë. Sipas tij, të gjitha partitë politike janë bërë gati për zgjedhje dhe se vendi është tashmë në fushatë.
Haradinaj në një intervistë për KosovaPress, është i gatshëm për të bashkëpunuar me partitë opozitare, siç thotë ai vetëm për ta ndryshuar keqqeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Lideri i AAK-së e kritikon Kurtin edhe për çështjen e dialogut me Serbinë, pranimin e draftit të asociacionit dhe mosplotësimin e kërkesave të policisë.
Haradinaj thotë se AAK-ja qëndron dukshëm më mirë sesa në sondazhin e publikuar së fundmi, derisa shton se i njëjti ka qenë i porositur nga partia në pushtet me qëllim të ndikimit në perceptimin e qytetarëve.
Haradinaj: Partitë po bëhen gati për zgjedhje, mund të mbahen në pranverë
“Po hetohet që partitë politike po i ndjejnë zgjedhjet. Në mënyra të ndryshe po mundohen me pozicionuar vetën në mendjen e qytetarëve si opsion…. Nëse flasim për Aleancën, ne asnjëherë nuk jemi mërzitur për këto sondazhet apo rezultatet e porositura. Kësaj radhe nuk mërzitemi pasi e dimë gjendjen që është në vend dhe besimin e qytetarëve në secilin subjekt. (Zgjedhjet) Janë edhe ashtu në kalendar siç e dini ju, duhet mbajtur më së largu në janarit 2025. Kjo i bie se ne edhe ashtu në fund të vitit që vjen do t’i kemi zgjedhjet me kalendar të rregullta, por ato mund të mbahen më herët në pranverë. Kjo që po ndodh është aromë zgjedhje… Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi. Kështu ndodhi mashtrimi me zotëri Kurti atëherë”, thotë Haradinaj.
Haradinaj rendit arsyet që sipas tij qytetarët nuk duhet ta votojnë sërish Albin Kurtin.
Haradinaj: Qytetarët nuk duhet ta votojnë Kurtin
“Besoj se qytetari i Kosovës do të mendojë mirë kësaj radhe sesi të votojë. Unë kisha thënë, mos voto ata që të shtrenjtojnë energjinë elektrike, produktet bazë, nuk ta rritin pagën dhe të mashtrojnë kohë pas kohe me një lëmoshë, në vend që t’i rrisë shtesat e fëmijëve. Për shembull, nga 10 në 30 euro, kjo i bie që në 12 muaj nëse t’i jep nga 30 euro për fëmijë, të rriten për 240 euro. Mirëpo, ky i jep 100 euro në fund të vitit dhe ia vjedh tjerat. Po ashtu, nuk ka rritur pensionet, s’ka rritur asnjë pagë e bart paranë prej vitit në vit. I ka lënë projektet infrastrukturore aty ku kanë mbetur që katër vjet, pa lëvizur përpara dhe i ka zhgënjyer njerëz”, thekson Haradinaj.
Duke komentuar paralajmërimet e fundit për sulme të serishme nga Serbia, Haradinaj thotë se siguria kërkon vigjilencë, por jo me amatorë, siç e quan ai kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai thekson se Serbia nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, mirëpo deklaron se Kosova nuk ka përfituar nga ky momentum ndërkombëtar pasi gjendet ende nën sanksione të Bashkimit Evropian.
Haradinaj: Siguria çdoherë kërkon vigjilencë, por jo amatorë si Kurti e Sveçla
“Siguria çdo herë kërkon vigjilencë, por jo me amatorë sikur Kurti dhe Sveçla. Realisht, atyre po iu duket vetja sikur ata superheronjtë me këto konferenca për shtyp, por njerëzit e tjerë rrezikojnë jetën për siguri. Sjellja e tyre është jonjerëzore ndaj atyre që rrezikojnë jetën për sigurinë tonë, ndaj policisë dhe ndaj njësive elitare…Besoj se institucionet e sigurisë, NATO-s dhe ato amerikane kanë bërë një hetim të mirëfilltë dhe e dinë të vërtetën. Unë jam i bindur se Serbia s’mund t’i ikën përgjegjësisë për sulmin terrorist, rrezikimin e jetës së njerëzve të pafajshëm, ku humbi jetën heroi Afrim Bunjaku. Mirëpo, a ka përfituar Kosova nga e gjithë kjo, fatkeqësisht jo, pasi ne jemi ende nën sanksione nga BE-ja”, deklaron Haradinaj.
Ish-kryeministri Haradinaj kritikon Kurtin se ka pranuar një draft të asociacionit, që do t’i sjellë dëme të mëdha Kosovës.
Sipas tij, në vend që asociacionit të bëhet si kundërvlerë e njohjes reciproke apo anëtarësimit të Kosovës në NATO, i njëjti po themelohet në shkëmbim të njohjes së targave.
Haradinaj: Asociacioni po bëhet në shkëmbim të targave
“Ai ka gabuar që e ka pranuar draft-statutin (e Asociacionit) që na është dhënë neve, pasi ai thirret në Rezolutën 1244 që është jo kushtetuese dhe nuk ekziston. Ka një mekanizëm të arbitrazhit që është jashtë ligjeve dhe institucioneve të drejtësisë së Kosovës. Kurti ka bërë gabime të mëdha dhe ndoshta është një mënyrë për të manovruar për gabimet e veta. Por një mënyrë e ka vendosur Kosovën në një hinkë që tash e kemi vështirë t’i ikën përgjegjësisë që ai e ka marrë për Kosovën. Ju e shihni Serbia sa mençur po i zbaton të gjitha. Tabelat në Kosovë, tabelat për të kaluar në Serbi, peticionin për shkarkimin e kryetarëve, të merret pjesë në zgjedhje. Pra, të gjitha këto po i bënë Serbia në mënyrë që ta vendosë Kosovën në pozitën që të veprojë në kuptimin e asociacionit. Ne nuk e kemi menduar asociacionin në shkëmbim të tabelave. Asociacioni është dashur të bëhet në shkëmbim të njohjes nga Serbia apo të anëtarësimit në NATO”, thotë Hardinaj.
Ai sërish ngrit dilema se kujt po i shërben kryeministrit Kurti, pasi sipas tij me veprimet e gabuara të tij po përfiton vetëm Serbia.
Haradinaj: I kujt është Kurti? Me veprimet e tij po përfiton Serbia
“Duke parë që Kurti është sjell shumë keq me Kosovën para se të vijë në pushtet, ka sulmuar çdo vlerë, ka sharë, ka fëlliqur dhe s’ka lënë gjë pa thënë vetëm për të ardhur në pushtet. Pastaj edhe pse i bëri të gjitha këto të këqija kur erdh në pushtet, ai nuk e shfrytëzoi të bëjë punë të mira për këtë vend, atëherë ne mund të presim çdo gjë prej këtij njeriu. Unë vërtet e shtroj dilemën, i kujt është ky (Kurti)? Nuk e them pahiri, por e përsëris kohë pas kohe. Me veprimet dhe vendimet e tij nuk po përfiton Kosova, por Serbia”, shton ai.
Krahas kësaj, Haradinaj kritikon edhe qasjen e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, siç thotë ai për nënshtrim politik ndaj kryeministrit Albin Kurti.