Koalicioni AAK-Nisma, kanë zyrtarizuar të premten marrëveshjen politike me partnerin e ri “Demokracia Konservatore”, që do t’i bashkohet listës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me anëtarët e këtij subjekti.
“Nismës i bashkohet edhe një organizatë politike Demokracia Konservatore. Ka një kohë të gjatë që bashkëpunoj me kolegët e Demokracisë dhe jam i mahnitur me vlerat që përfaqësojnë filluar nga e para njerëzorja, vlerat e familjes dhe hyjnorja. Sot kur po e nënshkruajmë bashkëpunimin tonë politik e them me zemër, me ndjenjë, me bindje, që nuk na shtyn asnjë urrejtje ndaj askujt por na shtyn ndjenja e atdhedashuria”, ka thënë ai.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, e ka quajtur këtë lajm të mirë.
“Ne po vazhdojmë me zgjerimin e frontit opozitar, me një objektiv që ta bëjmë më të mirë jetën e qytetarëve tanë. Ne po shkojmë drejt një uniteti në diversitet. Sot besoj për të gjithë ata njerëz që e duan këtë ndryshim është një lajm i mirë”, ka potencuar Limaj.
E, Avdullah Klinaku, kryetar i Demokracisë Konservarore, ka thënë se do t’i fuqizojnë vlerat e familjes në shoqëri.
“Ky bashkëpunim është i motivuar nga besimi në Zot nga vlerat e familjes… Ne besojmë që e përmbyllim një proces dhe e nisim një rrugë politike që ka me i fuqizu këto vlera në shoqërinë tonë. Ftoj konservatorët e Kosovës që të na bashkohen në këtë proces”, ka shtuar Klinaku.