Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka refuzuar ftesën për takim me kryeministrin Albin Kurti. Si arsye për këtë ata thanë se tema e takimit ka qenë agjenda legjislative dhe se sipas tyre kjo i takon shefit të Grupit Parlamentar.
Në një përgjigje për KP, kjo parti opozitare thotë se janë të gatshëm për takime që lidhen me interesin nacional.
“Ashtu siç jemi deklaruar në përgjigjen drejtuar z. Kurti, konsiderojmë që i takon shefave te grupeve parlamentare në Kuvend të dakordohen sa i përket agjendës legjislative, siç përcaktohet në bazë të rregullores së Kuvendit. Në qoftë se ka ndonjë temë tjetër lidhet me interesin nacional, mund të diskutohet në një moment tjetër”, thuhet në përgjigjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë pranuar të përgjigjen sa i përket qëndrimit të kësaj partie.
Megjithatë, në letrën e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku bëhet e ditur se ata e konsiderojnë si tentim të vonuar mundësinë për bashkëpunim me partitë opozitare.
“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre. LDK vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut.
Kryeministri Albin Kurti pritet të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i vetmi nga tre liderët opozitarë ka pranuar të marrë pjesë në takimin e ftuar nga shefi i ekzekutivit.