Deputeti Haki Abazi sot në Kuvend është shprehur se gjatë intervisitimit të tij në Prokurori, është kërcënuar më armë zjarri.
“A e dini pse prokurori ka qenë shumë i kujdesshëm në intervistimin tim? Sepse Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar nja matrapaz në momentin e intervistimit tim aty, i cili ka treguar revolen me kërcënim. Prej nga e ka informacionin ministrja të diskutimit të brendshëm në Prokurori? Këtë informacion ministrja nuk guxon ta ketë. Ajo po vazhdon me shkelje të drejtësisë”, tha Abazi.
Deputeti pa grup parlamentar, Haki Abazi tha se ministrja Haxhiu “e ka pyetur matrapazin aty”.
Abazi akuzoi ministren Haxhiu se ka dështuar në sigurimin e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili ditë më parë mori flakë.
Reagimi i Abazit ndaj ministres Haxhiu erdhi pasi kjo e fundit tha se “mezi ke folur kur ke qenë në intervistim në Prokurorinë Speciale” në lidhje me paralajmërimin e tij se ka informacione për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.