Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abbott i del krah Kosovës për dinarin, por kërkon që të zbatohet edhe vendimi për Manastirin e Deçanit

 
   

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott ka shkruar në Facebook se është i lumtur kur sheh thirrje për zbatimin e Kushtetutës, qoftë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, qoftë nenin 11 të saj që lejon vetëm një valutë në vend, por kërkoi që të ketë komunikim me komunitetet e prekura.

“Jam shumë i lumtur kur shoh thirrje që të zbatohet kushtetuta e Kosovës, qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, qoftë neni 11”, shkroi Abbott në Facebook.

Ajo që nevojitet është komunikimi më i mirë për komunitetet e prekura dhe zbatimi i inskenuar i masave për të lejuar njerëzit të rregullohen”, shtoi ai.

Reagimi i Abbott vjen pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha dje se Kushtetuta ose duhet të zbatohet në tërësi ose të mos zbatohet.

“Nuk ka logjikë në njërën rast të ketë insistim të bashkësisë ndërkombëtare që Kushtetuta të implementohet në tërësi siç është rasti i tokës për Manastirin e Deçanit, pastaj kur është puna te neni 11 i Kushtetutës që thotë se ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë të njëjtit miq të thonë po këtë mos e zbatoni…”, tha ai në një konferencë për media pas takimit me ministrin për Çështje Europiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak.

Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që nga shkurti të mos ketë transaksione me dinarët serbë në vend.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha dje se Kosova duhet të ofrojë më shumë kohë dhe të konsultojë komunitetet që preken nga ky vendim, duke shprehur shqetësimin se “rregullorja e miratuar më 27 dhjetor do të ndikojë negativisht në komunitetin etnik serb në Kosovë”.