Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, të martën ka qëndruar në Kaçanik.
AI ka qëndruar te familja e Hebib Shehut, që Abdixhiku e quan patriot të madh.
Abdixhiku ka shkruar në Facebook se gjatë asaj vizite e ka ndjekur dhe procesin e votimit që po ndodhte në Asamblenë Parlamentare në Strasburg.
“Sonte, në Kaçanik, tek familja e patriotit Hebib Shehu; për të nderuar ‘post mortem’ figurën dhe kontributin e një burri të madh të kësaj ane. Me ta, ndoqëm dhe procesin e votimit që po ndodhte në Asamblenë Parlamentare në Strasburg. Ëndrra kosovare është e shtresuar mbi hapat e mëdhenj të gjeneratave të tëra”.
“Hebib Shehu, apo Aga Bib, siç e quanin kaçanikasit, ishte i përkushtuar për komb e për atdhe. Në gjithë angazhimin patriotik të tij, vështirë të veçohet një nga shumë kontributet e dhëna. Si njëri nga bartësit e lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, në thirrjen monumentale të kohës, ai, së bashku me Ilaz Ramajlin e me shokë të tjerë, u përkushtuan qenësisht në organizimin e Kuvendit Historik të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur në Kaçanik, më 7 shtator 1990, kur u miratua Kushtetuta e Kosovës. Hebib Shehut, i ndava mirënjohjen ‘post mortem’ si shenjë rikujtimi për breznitë që vijnë, për rrugën e gjatë e të vështirë që patriotët e djathtë kanë bërë para nesh”, ka shkruar Abdixhiku.