
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur se partia e tij mbetet e vendosur në qëndrimet e saj, pavarësisht kritikave dhe presioneve politike. Ai ka theksuar se LDK po vepron sipas vullnetit të votuesve.
Abdixhiku, ka bërë një postim në Facebook, ku ka folur për takimet me qytetarët dhe për kritikat e adresuara ndaj LDK-së.
“Sonte në Gjakovë, për kafe të vonshme. Mes njerëzve të mbarë, mes mbështetësve tanë e mes bashkëqytetarëve gjakovarë. I falënderova për mbështetjen e dhënë. Turneu i falënderimit vazhdon,” ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka reaguar ndaj atyre që kritikojnë qëndrimet e partisë së tij, duke theksuar se LDK nuk do të ndryshojë qëndrim nën presion.
“Për këto sulmet e gjithëanshme ndërsa, nga politikanë, mendimtarë publiko-partiak e secili që disi merr të drejtë të na tregojë se çfarë vendimi e qëndrimi na u dashka të mbajmë ne si LDK, për gjithë këta bashkë, u them se lodheni kot!”
Sipas tij, LDK po flet me “dioptri realiste”, pavarësisht antifushatave që, sipas tij, synojnë ta dobësojnë partinë.
“LDK po flet drejtë – po flet njëjtë, po flet siç e kanë drejtuar votuesit e vet. Mbi të gjitha, LDK po flet me dioptri realiste në vend. Ky realitet nuk na pëlqen, por ai nuk ndryshon sado që investohet në antifushatë ndaj nesh!”
Ai ka deklaruar se LDK nuk do të ndikohet nga presionet politike dhe se ajo kohë ka kaluar.
“Ndoshta dhe janë mësuar që kjo LDK t’ua bëjë politikën për qejf. Ndoshta dhe janë mësuar se me presion të tillë LDK liget e eventualisht dhe bie. Ky presion veç po na forcon. Sa pak kanë kuptuar në gjithë këto katër vjet. Që ta kuptojnë mirë dhe qartë, ajo politikë është e vdekur tashmë! Nuk kthehet më,” ka përfunduar Abdixhiku.