Duke folur për dështimet e Qeverisë Kurti gjatë mandatit katër vjeçar, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, në tubimin me qytetarët e Komunës së Lipjanit, është shprehur se në këto katër vjet, kjo qeveri ka mashtruar një popull të tërë, duke i mbajtur të varfëruar, mbyllur e izoluar.
Përveç çmimeve të larta, pagave të njëjta e ikje masive të qytetarëve në Evropë, sipas Abdixhikut, kjo Qeveri la Kosovën edhe pa miq e aleatë, duke u përplasur me të gjithë e duke mos pasur asnjë njohje të re e me asnjë hap drejt rrugëtimit euroatlantik.
Abdixhiku: Mbi të gjitha, na lanë të vetmuar, pa miq e aleat
“Po i kalojmë katër vite të vështira për vendin tonë. Katër vite të një qeverie që ka mashtruar me një popull të tërë. Që i ka mbajtur të varfëruar, të mbyllur e të izoluar. Sepse nuk punuan për katër vite, na lanë me jetë të rënduar, çmime të larta, paga të njëjta, me ikje masive të njerëzve tanë nëpër Evropë. Na lanë me shkolla pa rezultat, me spitale të sëmura, me biznese të shtypura e me sistem të korruptuar deri në fyt. Mbi të gjitha, na lanë të vetmuar, pa miq e aleat. Kosova, e përplasur me të gjithë, për katër vite nuk ka marrë asnjë njohje të vetme, asnjë anëtarësim, nuk ka bërë asnjë hap drejt rrugëtimit tonë euroatlantik që ne si LDK e kemi synim orientues e strategjik,” u shpreh Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, ka shtuar se katër vitet e ardhshme do të jenë të mjaftueshme për të rikthyer Kosovën në rrugë të mbarë.
Ai, thekson se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, qytetarët duhet ta zgjedhin LDK-në, me një kryeministër dhe qeveri që kupton hallet e qytetarëve.
Abdixhiku: Më 9 shkurt ne zgjedhim Lidhjen Demokratike të Kosovës, shpresën e fundit të Republikës së Kosovës
“Katër vitet e ardhshme do të jenë të mjaftueshme për të rikthyer këtë fat në rrugën e mbarë, në rrugën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rrugën e vetme me rezultate historike për Republikën e Kosovës. Do të keni një Kryeministër dhe qeveri që i kupton hallet e juaja. Një Kryeministër që ju vjen me rrugë të reja, spitale të reja, centrale me gaz, shkolla me ushqim për fëmijë, stadiume moderne, me gjykata të pa korruptuara, e me qeveri punëtore që synim ka të ardhmen e jo të shkuarën e Kosovës. Më 9 shkurt ne zgjedhim Lidhjen Demokratike të Kosovës, shpresën e fundit të Republikës së Kosovës,” ka shtuar ai.
Ndërsa, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka potencuar se kjo komunë vitet e fundit, po ballafaqohet me mungesë të mbështetjes së qeverisë e po pengohet nga ajo në mos financimin e asnjë projekti të komunës.
Ahmeti, iu drejtua qytetarëve të kësaj komune, duke u thënë se nuk duhet të heshtin, sepse të njëjtit, sipas tij nuk e meritojnë këtë abuzim e përjashtim nga qeveria aktuale.
Ahmeti: Qytetarët e Lipjanit nuk e meritojnë këtë abuzim e përjashtim nga qeveri akatuale
“Është shënuar progres i jashtëzakonshëm në të gjitha fushat në të cilat që është përgjegjëse komuna. Ndonëse vitet e fundit të qeverisjes sonë lokale po ballafaqohemi me mungesë të mbështetjes dhe të pengesave më të ndryshme të nivelit qendrorë. Pengesat e qeverisë aktuale mos financimi i asnjë projekti. Na kanë penguar apo s’na kanë ndihmuar për asnjë çerdhe e shkollë për të ndërtuar. Ne nuk duhet të heshtim, Qytetarët e Lipjanit nuk e meritojnë këtë abuzim e përjashtim nga qeveri aktuale. Fitorja e LDK-së, është garanca e vetme për të ardhmen me të mirë të vendit tonë,” ka potencuar Ahmeti.
Zgjedhjet e parlamentare në Kosovë do të mbahen me 9 shkurt 2025..