Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abdixhiku për deklaratën e Macronit: Lajm i keq për Kosovën, qytetarët tanë meritojnë liberalizimin e vizave

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave.

Abdixhiku është shprehur se janë “tri të vërteta të trishta” nga deklarata e presidentit Macron që e dha sot në Shqipëri. Sipas tij, ky është lajm i keq.

“E para vërtetë e trishtë është fakti që ne jemi në një pozicion që duhet pritur prej një fuqie të rëndësishme Evropiane, në dyshen e parë të Evropës, një pozicion qortues ndaj Kosovës pas 24 shtatorit. Sot jam ndier keq shumë sepse qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizim të vizave. E kanë merituar në vitin 2016 e meritojnë sot e gjithmonë. Mund të flasim për përgjegjës kush ka faj e kush jo, është një faturë e dëmshme për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se lajm edhe më i trishtë ka qenë reagimi i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Fakti që jemi në një diskutim të tillë potencial është bukur lajm i trishtë. E vërtetë ë trishtë e dytë, ne u portretizuam si vend që nuk e mbajmë fjalën. Kjo deklaratë po vjen nga një fuqi si Franca. Ky është lajm shumë i keq për Kosovës. E vërteta e trishtë e tretë është reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka thënë tutje kreu i LDK-së.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave, është pezulluar nga ana e Francës sepse sipas tij ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe e njëjta Macron thotë se nuk po mbahet.

Presidenti Macron ka thënë se pret nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq që të mbajë përgjegjësi dhe të dënojë aketet e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë. Ndërsa nga ana e Kosovës, Macron pret që të njihet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Për këtë deklaratë të Macronit, zyra e presidentit të Francës në një përgjigje ka thënë se “Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”.

“Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, thuhet tutje në përgjigje.