Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka ndarë një mesazh për qytetarët në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, duke theksuar rëndësinë e reformave të reja në arsimin e Prishtinës.
Abdixhiku i ftoi qytetarët të ndajnë 4 minuta për të kuptuar punën e madhe që është bërë për mësimin gjithëditor, i cili do të nisë së zbatuari në disa shkolla të kryeqytetit.
Ai theksoi se ky model i mësimit gjithë-ditor, që përfshin sigurimin e shujtave të ngrohta për fëmijët, është një prej arritjeve më të mëdha dhe do të shtrihet edhe në nivel qendror.
Abdixhiku theksoi se këto shujta nuk janë thjesht ushqime të zakonshme, por janë përgatitur nga nutricistë dhe ofrojnë një dietë të shëndetshme për nxënësit çdo ditë. Ai e konsideroi këtë si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mirëqenies së nxënësve dhe krijimit të një ambienti më të shëndetshëm dhe më të sigurt në shkolla.
Gjithashtu, Abdixhiku foli për renovimin dhe modernizimin e hapësirave shkollore, duke përfshirë krijimin e laboratorëve të rinj, instalimin e tabelave dixhitale dhe ndërtimin e klasave sipas standardeve më të larta evropiane.
Ai theksoi se nxënësit do të kenë mundësinë të qëndrojnë në shkollë gjatë gjithë ditës, duke bërë detyrat e tyre, duke marrë pjesë në aktivitete dhe duke qenë nën kujdesin e stafit shkollor.
Kryetari i LDK-së përmendi gjithashtu punën e Jehona Lushaku Sadriut, e cila ka udhëhequr këto reforma në arsim për këta 6 muaj. Ai shtoi se ky model i suksesshëm që fillon me 5 shkolla këtë vit do të zgjerohet në 13 shkolla të tjera vitin e ardhshëm, duke u shtrirë në të gjithë vendin.
Në fund, Abdixhiku krahasoi këto arritje me, sipas tij, “dështimet spektakulare” në nivel qendror, duke kritikuar popullizmin dhe mungesën e efektivitetit të qeverisë në sigurimin e librave për nxënësit.
Ai u shpreh se LDK ka një vizion të qartë për të ardhmen e arsimit në Kosovë dhe se reformat e tyre synojnë të sjellin ndryshim të vërtetë dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.