Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Abdixhiku për VV: Kosova shtet i pavarur udhëhiqet nga mosbesues të saj

 
   

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka organizuar sonte pritje me rastin e shënimit të 34-vjetorit të themelimit të partisë.

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, tha se në kohën e themelimit kjo parti ishte organizimi më i madh politik i kohës.

Abdixhiku: Një muaj pas rënies së murit të Berlinit, u formua LDK-ja

“Fundi i vitit 1989 për pjesën më të madhe të Evropës ishte periudhë e rilindjes së demokracisë dhe lirisë njerëzore si rrjedhojë natyrale e rënies së sistemit komunist totalitar që për dekada kishte mbajtur të shtypur popujt gjithandej Evropës. Kosova dhe shqiptarët s’bënin përjashtim. Një muaj pas rënies së murit të Berlinit, saktësisht, më 23 dhjetor 1989 intelektualë të shquar të kohës kishin nisur rrënimin e murit të shtypjes shekullore ndaj popullit të Kosovës. Si përgjigje ndaj thirrjes monumentale të historisë, këta kishin krijuar lëvizjen më të madhe e më domethënëse historike të shqiptarëve të Kosovës – kishin krijuar Lidhjen Demokratike të Kosovës me në krye prijësi ynë historik, presidenti historik Ibrahim Rugova”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka folur mbi rolin e partisë gjatë kohës së okupimit dhe pas shpalljes së pavarësisë, duke thënë se shtet-ndërtimi i Kosovës mban “vulën” e LDK-së dhe se kjo parti do të punojë që të dalë si e para në skenën politike, teksa ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet se po mban Kosovën peng të “tekave” të saj.

Abdixhiku: Kosova shtet i pavarur udhëhiqet nga mosbesues të saj

“Dekada e katërt është dekadë e testit të Kosovës properëndimore, është dekadë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe rrugëtimit për në BE. Është dekadë e zhvillimit, modernizimit, është dekadë e rrugës së re kundrejt popullizmit. Sot në këtë përvjetor dua të tërheq vëmendjen për sfidat me të cilat Republika jonë, e udhëhequr nga popullsitë që zgjedhin mjet për pushtet, e toksikuar në diskursin publik e polarizues në vend Kosova nuk po arrin as hapa të mëdhenj zhvillues në vend dhe as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura të komunikimit me aleatët tanë tradicionalë. Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social, ndërkombëtar është peng i tekeve popullsitë që gjejnë fajtorë për mos veprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran udhëhiqet nga mosbesues të saj, prandaj prezenca e LDK-së si faktor kyç në shtet është jetike, prandaj këtë prezencë duhet ta sigurojmë sa më parë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se LDK-ja do të ruajë parimet e saja si një parti moderne, zhvillimore dhe përgjegjëse dhe që merr vendime të matura, dhe të ketë si mision që të jetë parti e parë në Kosovë.