Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abdixhiku uron 28 Nëntorin: Nderojmë të rënët e punojmë për të ardhmen e shqiptarëve

 
   

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë shqiptarët për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Abdixhiku ka thënë se Shqipëria u bë një realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm, duke shtuar Shqipëria si shtet pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Ai ka kujtuar edhe Presidentin Historik, Ibrahim Rugova. Komandantin Legjendar, Adem Jashari dhe dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo datë, përkon me ditëlindjen e Gjergj Kastriotit Skenderbeut; mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe.

E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa kontributin e tyre, Kosova dhe Shqipëria nuk do të ishin si sot!”, ka shkruar Abdixhiku.

Urimi i tij i plotë:

Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, aspiratën e kahershme për liri e pavarësi.

Në këtë ditë feste, kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë dhe pavarur, të ndërtuar mbi idealin dhe vlerat e përbashkëta kombëtare. Shqipëria u bë një realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm, i cili vendosi të sfidojë çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri, mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Kjo datë, përkon me ditëlindjen e Gjergj Kastriotit Skenderbeut; mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa kontributin e tyre, Kosova dhe Shqipëria nuk do të ishin si sot!

Shqipëria si shtet pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Mesazhi i Ditës së Flamurit është i qartë: Kujtojmë të shkuarën, nderojmë të rënët dhe punojmë për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë.