Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abdullahu për urimin e Patriarkut Porfirije: S’ishte i sinqertë, madje provokues

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije ka uruar sot, besimtarët myslimanë festën e Kurban Bajramit, duke i quajtur “vëllezër”.

Këtë veprim historiani Durim Abdullahu, e cilëson si jo të sinqertë madje edhe provokues, teksa shtoi se në shumë raste Kisha Ortodokse Serbe ka qenë e përfshirë në krimet e luftës në dekadën e fundit të shekullit XX, kur shpërthyen luftërat në Jugosllavi.

“Mendoj që urimi i tij për festën e Bajramit nuk mund të merret sinqerisht, i njohim gjithë veprimtarinë dhe gjithë deklaratat e krerëve të kishës në të kaluarën dhe nuk është që janë paqësore siç pritet zakonisht veçanërisht prej rangjeve të larta të hierarkisë klerikale të një religjioni”, u shpreh Abdullahu, në InfoMagazinë.

“Jam shumë i bindur që edhe shqiptarët në Kosovë të besimit islam nuk është që e kanë marrë shumë sinqerisht, ky mund të cilësohet edhe si lloj provokimi, për shkak se sivjet përkoi edhe ‘Dita e Vidit’ dhe Kurban Bajrami të qëllojnë në një ditë”.

Abdullahu, shpjegoi se është e çuditshme se si Serbia edhe sot, vazhdon ta bëjë politikën brenda një trinomi.

“Gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, në periudhën e luftërave në Jugosllavi, Kisha Ortodokse Serbe ka qenë direkt e përfshirë në mënyrë direkte në krimet e luftës në disa forma, në radhë të parë zonat e kishave e manastireve jo në pak raste kanë qenë strehë për policë dhe për trupat paramilitarë, të cilët siç e dimë janë kryerësit kryesorë të krimeve të luftës dhe veçanërisht kur flasim për Kosovën, duket shumë e çuditshme dhe gati absurde dhe si në kohën kur jetojmë një shtet modern si Serbia vazhdon që politikat e saj t’i ndërtojë dhe t’i artikulojë brenda një trinomi që është njërën anë qeveria dhe institucionet e Republikës së Serbisë, në anën tjetër Akademia e Shkencave dhe Arteve dhe Kisha Ortodokse Serbe”, tregoi Abdullahu.