Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abrashi për deklaratën e Gërvallës: E tha një të vërtetë, opinionistët e zhurmshëm le ta dëshmojnë se e ka gabim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka folur për deklaratën që ngjalli shumë reagime të Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla se “BE-ja pa NATO-n dhe ShBA-në në aspektin e sigurisë është një tigër prej letre”.

Sipas Abrashit kjo deklaratë është plotësisht e vërtetë dhe i ka ftuar të gjithë “opinionistët e zhurmshë” ta dëshmojnë pse ajo e ka gabim.

“Cili prej nesh mund ta kontestojë tash vërtetësinë e kësaj, po bëhemi real, para se të kalojmë te pjesa diplomatike. Këtë e thonë edhe vet shtetet anëtare të BE-së që garantë të këtij projekti të quajtur BE janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesa e sigurisë së BE-së dhe shteteve anëtare të BE-së është NATO-ja. Çka ka këtu me u revoltu? Kjo është plotësisht e vërtetë. Kurse në aspektin diplomatik, besoni që vet zyrtarët më të lartë të BE-së, të Unionit Evropian ndonjëherë janë kritikë në këto institucione, në formën se si merren vendimet apo në qasjen si e kanë shtetet anëtare në raport me politikat apo vendimet e caktuara. Këtë e bëjnë publikisht. Kjo është forma se si merren vendimet dhe si i qaset BE-ja qoftë vetvetes apo shteteve anëtare”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij në një rast shumë më i ashpër me BE-në ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Kështu që unë nuk po konsideroj diçka problematike që është thanë, por pse është rritë në këto përmasa unë këtë nuk po mund ta kuptojë. A do ta dëmtojë kjo deklaratë marrëdhënien e Kosovës me BE-në? Deklaratat e zotit Rama në raport me BE-në kanë qenë shumë më të rënda. Dështimi i procesit te statusi i kandidatit kanë qenë shumë të rënda… Nëse dikush nga këta opinionistët zhurmaxhi kanë mendime tjera, le t’i prezantojnë argumentet edhe le ta dëshmojnë se zonja Gërvalla e pat gabim. Por kurrkush nuk është marrë me këtë temë. Kaluan direkt në linçime publike, personale që nuk kishin të bënin as me temën. Shkarkoje. Pse? Kurrkush nuk po argumenton sepse”, ka thënë Abrashi.