Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Afro 6.700 aksidente për katër muaj – 25 të vdekur e 4.379 të lënduar

Në periudhën janar-prill 2023, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, janë regjistruar 6143 aksidente, kurse më 2024 numri i tyre ka mbërritur në 6663, që përbënë rritje prej 8.5 për qind. Edhe numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rritje më 2024-n, ndonëse numri i viktimave është i njëjtë, nga 25 në të dy periudhat janar-prill.

Për afro 500 është më i madh numri i aksidenteve në komunikacion, në katër muajt e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në periudhën janar-prill 2023 janë regjistruar 6143 aksidente, kurse më 2024 numri i tyre ka mbërritur në 6663. Edhe numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rritje më 2024-n, ndonëse numri i viktimave është i njëjtë, nga 25 në të dy periudhat janar-prill.

Për gjendjen aktuale të sigurisë në trafik dhe krahasimin mes dy viteve, të enjten ka folur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Në vitin 2023, në katërmujorin e parë kanë qenë gjithsej 4,461 persona të lënduar, numër që është reduktuar për 1.84%. Aksidente me dëme materiale këtë vit në katërmujorin e parë kanë qenë 4,304, që ka pasur rritje për 11.47% nga viti i kaluar”.

Policia nuk ka publikuar statistikat mbi shkaktarët e aksidenteve për periudhën janar-prill të këtij viti.

Por, sipas ekspertit të komunikacionit, Bekim Ahmeti, njëri nga shkaktarët kryesorë është mospërshtatja e shpejtësisë.

“Përveç kësaj mendoj se temperamenti i ngasësve, mungesa e durimit në trafik, mungesa e kulturës… janë faktorë kyç të aksidenteve në vend’’, ka thënë Ahmeti.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, në konferencë të përbashkët patën premtuar ashpërsim të masave me qëllim të parandalimit të aksidenteve. Masat u ndërmorën katër muaj më pas.

Drejtori Hoxha, në përmbyllje të vitit ka treguar se 44 për qind e 106 personave që humbën jetën në aksidente gjatë vitit 2023 kanë qenë shoferë, 28 për qind këmbësorë dhe 27 për qind pasagjerë.

“Shkaktarët me të shpeshtë sipas analizave të policisë janë mosmbajtja e distancës së sigurisë mes mjeteve, manipulimi i pasigurt me automjet, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, kyçja e pasigurt në rrugë, radhitja e parregullt apo ndërrimi i shiritave e kthimrrotullimi-lëvizja prapa”, ka thënë Hoxha në fund të vitit 2023.

Në periudhën janar-prill 2024, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023, është rritur numri i aksidenteve me dëme materiale për afro 12 për qind, por është ulur për 82 numri i personave të lënduar apo për 1.8 për qind.

Referuar të dhënave zyrtare në vitin 2023 janë regjistruar 22 mijë e 370 aksidente ose një aksident në çdo 24 minuta. Kjo sipas Policisë, arsyetohet edhe me rritjen e numrit të automjeteve qarkulluese. Në vitin 2011, sipas Policisë, kanë qenë të regjistruar afro 190 mijë automjete në qarkullim, ndërsa 12 vjet më vonë ky numër ka mbërritur në 440 mijë.